Inxhinieri Xhevair Ngjeqari ka komentuar përplasjen mes ortakëve të aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën si është menaxhuar kontrata koncesionare dhe kreditimi i projektit.
Sipas tij, funksionimi i një aeroporti lidhet drejtpërdrejt me fizibilitetin ekonomik dhe numrin e pasagjerëve që mund të përballojë. Ai tha se kishte paralajmëruar prej kohësh se aeroporti i Kukësit nuk do të ishte funksional, ndërsa kishte shprehur rezerva edhe për projektin e aeroportit të Vlorës.
Ngjeqari, në një intervistv për “Kjo Javë” në News24, theksoi se kontrata koncesionare për aeroportin parashikon që shteti shqiptar të ndërhyjë financiarisht nëse për 10 vite nuk arrihet numri i kërkuar i pasagjerëve, duke e cilësuar marrëveshjen si preferenciale për kompaninë koncesionare.
Ai deklaroi se fillimisht Pacolli zotëronte 89% të aksioneve dhe më pas i ka shitur rreth 47% të tyre tek Ademi. Sipas tij, problemi ka nisur pasi Pacolli ka marrë një kredi duke përdorur si garanci të ardhurat e ardhshme të aeroportit, pa miratimin e ortakut tjetër dhe pa përfshirjen e shtetit shqiptar në marrëveshje.
“Kolateral nuk mund të vendoset një pronë shtetërore apo një koncesion pa dakordësinë e të gjitha palëve”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo ka sjellë konfliktin mes dy aksionerëve dhe përfshirjen e organeve të drejtësisë.
I pyetur nëse aeroporti i Vlorës rrezikon të bllokohet, Ngjeqari tha se bëhet fjalë për një konflikt mes ortakëve, por sipas tij përgjegjësia kryesore bie mbi Pacollin për shkak të shkeljeve që pretendon se janë kryer në marrëveshje. Ai shtoi se puna mund të vijojë nga pala tjetër derisa gjykata të japë një vendim përfundimtar.
“Ka një shprehje që thotë; njerëzit mburren për ato që mungojnë. Ky është postulat filozofik. Sa i takon aeroportit të Vlorës, gjatë kohës që kam qenë duke dhënë mësim, kam bërë 4 libra. Kur u dha aeroporti i Vlorës, që doli qeveria dhe prezantoi projektin. Unë bëra një artikull. Ndërtimi i një porti, apo aeroporti, varet nga fizibiliteti i tij. Kjo është sasia e të ardhurave që do të kryejë aeroporti. Aeroporti i Kukësit, e kam thënë që atëherë, që nuk do të punonte. E kam bërë dhe një artikull për TEC-in e Vlorës, që kam thënë se nuk do të punonte dhe nuk është në funksion. Në aeroportin e Vlorës nëse do lëvizin 4 qarqet bashkë, 700-800 mijë banorë, nuk është rentabël. Këto u vërtetuan më vonë. Ata bënë një kontratë koncesione. Shteti shqiptar jep të drejtën koncensionare për 35 vite, por i dha dhe një kusht tjetër që nëse për 10 vjet nuk kap pasagjerët e duhur, ne si shtet do të ndihmojmë. Pra është një kontratë preferenciale.
Sipas nivelit që e kemi ndjekur dhe deklaratave të tyre në televizione, është se Pacolli ka qenë koncensionar me 89% të aksioneve, ka shitur rreth 47% të aksionve, Valon Ademit.
Gjatë kësaj kohe Pacolli ka marrë një kredi. Për të marrë një kredi, duhet të paraqesësh koncesionin. Ai kishte dhe garanci nga shteti dhe i janë aprovuar mbi 100 mln euro. Ai kishte vënë kolateral të ardhurat që do të vinin nga puna në aeroport. Ligjërisht dhe shteti shqiptar duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Pretendimet e Pacollit se ka ardhur kaq e aq, janë fjalë të përgjithshme të tij. Por koncensionar është dhe zoti Ademi, jo vetëm Pacolli. Nuk lihet kolateral aeroporti. Këtu ka nisur problemi. Ai nuk ka të drejtë që të marrë kredi në një bankë, dhe të vërë kolateral aeroportin, kur ka dy aksionerë. Këtu ka nisur konflikti. Zoti Ademi e ka denoncuar në organet e drejtësisë shqiptare, sepse nuk mund të vërë kolateral një pronë shtetërorë”, tha ai.
