Inxhinieri Xhevair Ngjeqari duke u ndalur gjerësisht te konflikti mes aksionerëve të aeroportit të Vlorës, duke vlerësuar se situata mund të çojë drejt arbitrazhit nëse mosmarrëveshjet nuk zgjidhen në mënyrë institucionale.
Sipas tij, bëhet fjalë për një përplasje mes dy aksionerëve, ku përgjegjësinë kryesore për prishjen e ligjshmërisë e atribuon biznesmenit Behgjet Pacolli. Ai shton se, sipas zhvillimeve të deritanishme, shteti shqiptar ka mbështetur qëndrimin e aksionerit tjetër, Valon Ademi.
Ngjeqari deklaron në emisonin ‘Kjo javë’ në News24, se janë kryer veprime që, sipas tij, bien ndesh me kontratën koncesionare, duke theksuar se kjo ka sjellë ndërprerjen e normalitetit të projektit.
I pyetur për mundësinë e arbitrazhit, ai u shpreh se çështja mund të përfundojë në këtë nivel nëse palët nuk gjejnë zgjidhje, ndërsa shtoi se deri në një vendim përfundimtar gjyqësor, aktiviteti mund të vijojë nga pala tjetër. Sipas tij, Pacolli mbetet përgjegjës për “çrregullimin” e situatës, siç e cilësoi ai konfliktin mes aksionerëve.
“Ky është një konflikt mes dy aksionerëve. Por ai që e ka prishur këtë ligjshmëri është zoti Pacolli. Dhe shteti shqiptar i ka dhënë të drejtë zotit Ademi. Këta njerëz, meqë janë shkelur normat ligjore dhe kanë bërë veprime juridike të padrejta, e kanë ndërprerë.
Pacolli mund të jetë specialist i regjur me këto fusha. Por ka bërë shkelje të kontratave ligjore. Shteti shqiptar besoj do të marrë një vendim deri sa të dalë një konkluzion nga gjykata, puna do të vijojë nga Ademi. Autor i çrregullimit është zoti Pacolli.”, tha ai.
