Një “tërmet” i vërtetë. Pa frikë i tillë mund të konsiderohet revolucioni që Milan po i nënshtrohet menjëherë pasi ekipi dështoi në mënyrë spektakolare për të siguruar një biletë për në Champions League. Gerry Cardinale nuk humbi kohë, nuk preferoi as të analizojë detajet që sollën këtë dështim, por nisi operacionin “fshesa” duke larguar në bllok të gjithë stafin drejtues.
Pas vetëm një viti, Igli Tare, Drejtori Sportiv, shkarkohet me efekt të menjëhershëm, po ashtu pas vetëm një viti së bashku me të shkarkohet edhe trajneri Max Allegri. Të njëjtën fat kishin edhe dy drejtuesit e tjerë të lartë, CEO i klubit, Giorgio Furlani dhe Drejtori Teknik, Geoffrey Moncada. Pavarësisht se këto shkarkimi në bllok do të kushtojnë shtrenjtë bosit të Milan, me një faturë që shkon mbi 20 milionë euro, Gerry Cardinale ka marrë përsipër kostot për të ndryshuar edhe një herë faqe.
Në mënyrë të pabesueshme, i vetmi që i shpëtoi këtij revolucioni total ishte edhe presoni më i kontestuar nga ana e tifozëve, Zlatan Ibrahimovic. Ish sulmuesi i famshëm i Milan pritet të jetë edhe njeriu që do të udhëheq këtë revolucion, do të jetë ai i ngarkuar për të riorganizuar edhe një herë kuqezinjtë, fillimisht në përzgjedhjen e stafit të ri drejtues dhe më pas trajnerin e ri.
Ideja e Cardinale është që në krye të ekipit të jetë një trajner i ri, me ide të reja, një trajner alla Fabregas. Për momentin, sipas mediave italiane, dy janë kandidatët kryesorë për të pasuar Allegrin, Andoni Iraola i Bournemouth dhe Xavi Hernandez, ish trajner i Barcelonës, aktualisht i papunë. Përjashtohet në mënyrë kategorike opsioni që në stolin e Milan të ulet Antinio Conte. Ndryshime të forta do të ketë edhe në lidhje me organikën e ekipit, ku në shitje është nxjerr edhe Rafa Leao.
Ashtu siç pritej, këtë ndryshime të forta në shtëpinë e Milan “pushtuan” edhe faqet e para të mediave italiane: “Jashtë të gjithë. Milan, revolucioni i Cardinales”, shkruan La Gazzetta. “Ibra dëshiron Xavi. Largohen Allegri, Tare, Furlani dhe Moncada”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.
