Emisioni Investigativ ‘Tak Fak’, u ndal këtë të mërkurë në një denoncim të ardhur në redaksi nga qytetari Arben Ziu, më banim në Durrës, i cili prej disa vitesh ka një problem të vazhdueshëm me një ndërtesë ngjitur me pallatin ku ai banon.
Një ndërtesë e cila fillimisht u ndërtua pa leje dhe më pas u pajis me certifikatë pronësie dhe më pas u bë dykatëshe, por e cila është ndërtuar në hapësirë publike.
Ndërtesë e cila është ndërtuar mbi një bunker ekzistues, që sot është kthyer në një shqetësim serioz për komunitetin e banorëve të kësaj lagje që ndodhet fare pranë qendrës së qytetit të Durrësit.
Sipas tij, megjithëse janë bërë dhjetëra denoncime në Bashki dhe në IMT, institucionet kanë deklaruar se objekti dispononte leje ndërtimi.
Arben Ziu shprehet se ndërtimi është afruar shumë pranë murit ndarës, duke mos respektuar distancën ligjore prej 2.5 metrash.
Problemi më i madh, sipas tij, është lagështira dhe dëmtimi i banesës sa herë ka reshje shiu. Ai pretendon se për ndërtimin e murit rrethues është prishur kupola mbuluese e një ish-vendstrehimi, çka ka bërë që uji të depërtojë në kanalin e hapur dhe të shkaktojë dëme në banesë.
Për dëmtimet ekziston edhe një ekspertizë profesionale. Ndërkohë, objekti është pajisur me certifikatë pronësie, është shitur dhe pronari është larguar jashtë vendit.
Në emision u theksua se qytetari kërkon të paktën prishjen e shkallëve të objektit, pasi për to ekziston një urdhër prishjeje nga IMT, i cili nuk është zbatuar. Sipas tij, kjo do të rikthente distancën ligjore dhe do të mundësonte rindërtimin e bunkerit, duke shmangur problemet me lagështirën.
