Parlamenti i Islandës miratoi të enjten zhvillimin e një referendumi më 29 gusht mbi çështjen e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vendimi i parlamentit i hap rrugën planit të qeverisë islandeze, e cila synon që vendi të mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në fund të kësaj dekade.

Islanda kishte ndërprerë përpjekjet për anëtarësim në vitin 2013, pas katër vitesh negociatash me Brukselin, kur në pushtet erdhi një qeveri euroskeptike.

Megjithatë, rritja e kostove të jetesës dhe lufta në Ukrainë kanë rikthyer interesin publik për integrimin evropian, sipas sondazheve të fundit të opinionit.

Sipas planit të miratuar, nëse qytetarët votojnë pro vazhdimit të negociatave në referendumin e 29 gushtit, marrëveshja përfundimtare e anëtarësimit do t’i nënshtrohet një referendumi të dytë. Në rast se shumica votojnë kundër, procesi i rinisjes së negociatave do të ndalet.

Në parlamentin islandez me 63 vende, 34 deputetë votuan pro referendumit, 8 kundër, ndërsa 14 abstenuan dhe 7 munguan.

Ministrja e Jashtme e Islandës, Thorgerdun Katrin Gunnarsdottir, deklaroi më herët për Reuters se Islanda mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian që në vitin 2028. Sipas saj, peshkimi dhe bujqësia pritet të jenë dy nga temat më të ndjeshme gjatë negociatave me Brukselin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: