Një avokat kinez është ekzekutuar për vrasjen e një manjati miliarder të lojërave të fatit, i cili ndihmoi në prodhimin e serialit të famshëm fantastiko-shkencor të Netflix-it “Problemi me 3 Trupa”.
Xu Yao vrau punëdhënësin e tij, Lin Qi, në vitin 2020 duke i ofruar atij pilula probiotike që ai i kishte helmuar me toksina që i kishte blerë në rrjetin e errët, sipas CNN . Atë vit, avokati e kishte ndihmuar biznesmenin të siguronte të drejtat për të adaptuar trilogjinë e famshme fantastiko-shkencore të Liu Cixin, e cila fillon me librin “Problemi me Tre Trupa”.
Avokati u ekzekutua të enjten e kaluar, dy vjet pasi u dënua për vrasje nga një gjykatë e Shangait . Three Body Universe, kompania dikur në pronësi të Lin Qi dhe që synonte të zhvillonte pronën intelektuale të trilogjisë, lëshoi një deklaratë duke thënë se “të gjithë punonjësit e kompanisë sonë janë mirënjohës për drejtësinë e dhënë nga sistemi gjyqësor”.
Deklarata i bënte homazh Lin Qi-t, i cili u rendit si producent ekzekutiv në titrat e parë të serialit “3 Body Problem” të Netflix kur u publikua në vitin 2024. Lin ishte një fans i madh i trilogjisë së Liu-t dhe kishte ëndërruar prej kohësh të zhvillonte serialin.
Vetëm pak muaj pasi Netflix njoftoi planet e saj për të prodhuar serialin, biznesmeni u helmua dhe vdiq në moshën 39 vjeç.
Një mbrëmje dimri në vitin 2020, ndërsa po kthehej në shtëpi nga selia e kompanisë së tij, Yoozoo Games, në Shangai, ai u ndje keq dhe u dërgua në spital. Ai vdiq 10 ditë më vonë, ditën e Krishtlindjeve.
Sipas raportimeve të mediave kineze, në trupin e tij u gjetën të paktën pesë toksina, duke përfshirë helme vdekjeprurëse si zhiva dhe tetrodotoksina.
Autoritetet gjurmuan Xu Yao, i cili u arrestua dhe u nxor në gjyq, ku u dënua me vdekje. Sipas vendimit të gjykatës, Xu kishte mosmarrëveshje me Lin-in për çështje të menaxhimit të kompanisë dhe vendosi ta helmonte.
Ai gjithashtu helmoi pijet në zyrat e dy drejtuesve me të cilët kishte mosmarrëveshje, duke bërë që katër kolegë të sëmureshin. Të katër mbijetuan.
Xu Yao kishte ngritur një kompani tregtare në Japoni për të siguruar kimikatet e rrezikshme dhe në një moment, ai kishte 160 numra telefoni celularë. Midis shtatorit dhe dhjetorit 2020, Xu zëvendësoi përmbajtjen e kapsulave të kafesë, shisheve të uiskit dhe shisheve të ujit në zyrat e kolegëve të tij me klorur metilmerkuri, një toksinë akute që mund të jetë fatale nëse gëlltitet, thithet ose bie në kontakt me të. Më pas ai i shndërroi substancat vdekjeprurëse në pilula përpara se t’ia ofronte si dhurata Linit.
