Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka zbuluar detaje nga prapaskenat politike brenda kampit të djathtë dhe marrëdhëniet e liderit historik Sali Berisha me ndërkombëtarët.

I pyetur mbi zërat dhe propagandën që qarkullon se Sali Berishës nuk i intereson ardhja në pushtet, por vetëm prestigji vetjak dhe heqja e statusit “non-grata”, Kalaja e ka hedhur poshtë këtë teori, duke e cilësuar si një narrativë të ndërtuar nga e majta. Megjithatë, ai ka zbuluar një informacion lidhur me periudhën përpara se Berisha të shpallej zyrtarisht i padëshirueshëm nga SHBA.

“Nuk e besoj këtë teori, është propagandë e majtë. Por në informacionet që unë kam, zotit Berisha i është bërë një ofertë më përpara nga amerikanët që të tërhiqej nga politika. Kjo ka ndodhur përpara se të shpallej ‘non-grata’, ka qenë një negociatë që ai të bënte një hap mbrapa, por ndodhi e kundërta,” deklaroi Kalaja.

Sipas Kalasë, pretendimet se Berisha po lufton thjesht për të mbajtur pushtetin brenda partisë nuk qëndrojnë, pasi ai atë pushtet dhe ndikim nuk e ka humbur asnjëherë, madje as atëherë kur nuk ishte formalisht në krye të PD-së.

“Ai e ka pasur gjithmonë atë korpus pushteti, edhe pa qenë kryetar i Partisë Demokratike. Këta që janë sot te kupola e PD-së, shkonin me vrap te zyra e Berishës edhe kur Lulzim Basha ishte kryetar partie. Tani të jemi realistë, se ne kemi jetuar aty dhe i dimë këto muhabete,” u shpreh hapur kreu i degës së Krujës.

Kalaja vuri në dukje se Berisha ka arritur fitore personale duke u rikthyer, duke marrë partinë dhe vulën, por tashmë sfida nuk është më e tij, por e gjithë strukturës së Partisë Demokratike për të rrëzuar qeverinë.

“Ai ka arritur fitore të jashtëzakonshme për vete. Mori partinë, mori vulën. Por puna është të fitojë Partia Demokratike, jo të fitojë Berisha. Zgjedhjet brenda në PD ai i ka fituar, qoftë me referendume apo procese të tjera. Problemi tani është se çfarë do të bëjë PD-ja për të fituar zgjedhjet dhe për të mposhtur Edi Ramën, sepse pas shumë protestave, jemi ende në këtë pikë,” përfundoi Kalaja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb