Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike që në nisje të tij ka gjetur një mënyrë të veçantë për të goditur qeverinë “Rama”. Përmes inteligjencës artificiale PD i bëri ‘diss’ Diellës, me një avatar, i konceptuar si figurë dixhitale e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Avatari u prezantua si një projekt i Departamentit të AI të PD-së dhe u paraqit si simbol politik dhe historik, duke u identifikuar me heroin kombëtar të shqiptarëve.
Gjatë prezantimit, ai u shpreh me tone politike, duke u distancuar nga çdo interpretim tjetër i figurës së Skënderbeut dhe duke theksuar se përfaqëson “Skënderbeun e shqiptarëve”. Në fjalën e tij, ai e cilësoi veten si “europeisti i parë i këtyre trojeve” dhe u prezantua si një krijim i teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Në deklaratë u bë edhe një krahasim me “Diellën”, avatarin e prezantuar më herët nga kryeministri Edi Rama, duke u theksuar se projekti i PD-së ka një kosto shumë më të ulët, rreth 100 euro, në kontrast me projektin qeveritar të cilin opozita e cilësoi si shumë më të shtrenjtë.

Avatari gjithashtu artikuloi kritika politike ndaj qeverisë, duke akuzuar për kosto të larta në administrim dhe projekte publike, ndërsa e mbylli mesazhin me një thirrje për Kuvendin e PD-së që të shërbejë si “besëlidhje për ripërtëritje dhe anti-vjedhje”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: