Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, gjatë fjalës së saj në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ka pasur një mesazh të fortë për rrugëtimin e opozitës dhe sfidat me të cilat janë përballur demokratët.
Vokshi theksoi se pavarësisht persekutimeve dhe goditjeve, demokratët zgjodhën qëndresën dhe dinjitetin përballë një pushteti që mendon se gjithkush ka një çmim. Ajo u shpreh se brendshëm ka pasur edhe hatërmetje e mërzitje, por çdo gjë është bërë në funksion të një PD-je më të madhe dhe më të bashkuar.
Sipas deputetes demokrate, PD nuk duhet të jetë një bashkim interesash apo axhendash personale për njerëz që presin pas gardhi si “masë amorfe”, por duhet të funksionojë si një familje e vetme.
“Na kanë goditur, persekutuar e arrestuar. Menduan se do dorëzohemi, por nuk ia dolën. Zgjodhëm qëndresën pa u viktimizuar. Nuk ka ripërtëritje pa guxim, nuk ka të ardhme për ata që kanë frikë të mbrojnë të vërtetën. Ne zgjodhëm dinjitetin kur pushteti mendon se gjithkush e ka një çmim. Por ne dëshmuam se ka njerëz që nuk blihen.
Goditëm jo pak brenga personale, jo pak hatërmetje e mërzitje, por e bëmë për hir të një PD-je të madhe, të bashkuar e më të fortë. PD nuk mundet dhe nuk duhet të jetë bashkim interesash apo axhendash personale për njerëz që presin pas gardhi si masë amorfe për t’u aktivizuar kur është momenti. PD duhet të jetë një familje që gjen forcë te njëri-tjetri dhe bashkohet përballë çdo sfide.
Ne zgjodhëm shërbimin sepse politika në opozitë, sidomos në Shqipëri, është sakrificë, jo privilegj e përfitim, është shërbim ndaj shqiptarëve e Shqipërisë. Unë ripërtëritjen nuk e shoh si çështje brezash, por si rikthimin e vlerave që kanë mbajtur të gjallë PD-në që nga dita e parë: qëndresa, guximi, dinjiteti, solidariteti dhe shërbimi ndaj qytetarëve”, tha ajo.
