Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka mbajtur një fjalim të fortë gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së.

Gjekmarkaj u shpreh se Shqipëria po kalon një krizë të thellë besimi dhe se rrotacioni politik nuk është thjesht një objektiv elektoral, por një “nevojë ekzistenciale kombëtare”.

Ai sulmoi ashpër qeverisjen aktuale, duke e cilësuar atë si një kastë kleptokratike që ka shkrirë shtetin me partinë, ndërsa lëshoi një thirrje të hapur për intelektualët e vendit që të thyejnë heshtjen dhe konformizmin.

Fjalimi i plotë:

I nderuar Kryetar i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha,
Të nderuar delegatë,
Të nderuar demokratë,
Të dashur qytetarë të Shqipërisë, bashkatdhetarë në Diasporë,
Ky Kuvend është mundësia e vetme për të ardhmen e Shqipërisë, për demokratët dhe qytetarët shqiptarë.
Vizioni ynë dëshmon se ne, demokratët, kemi hyrë në fazën e ndërtimit të një projekti kombëtar, jetik për Shqipërinë, demokracinë dhe integrimin europian!
Me peshën e Kryqit mbi shpinë, kaluam shkretëtirën 13-vjeçare nën një qeverisjeje kleptokratike, që ka shkrirë në një shtetin dhe partinë, e cila ka rindërtuar sigurimin e shtetit në formën e patronazhistëve, nën një parti me instinkt kriminal që në gjenezë, nën një Kryeministër, tashmë nyje gordiane për një shoqëri të tërë!
Partia Demokratike do ta presë atë nyje, ashtu si 35 vjet më parë rrëzoi atë shtatore dhe atë mur!
Shqipëria, në zemër të identitetit europian, nuk mund të mbetet më robinjë e një kaste që vjedh ditën e natën-që as ka besë as ngjall shpresë-e cila rrënjët i ka në korrupsion, trupin në banalitet, kokën në krim të organizuar.
Po zemrën? Zemër nuk ka.
Shqipëria po përjeton një krizë më të thellë: krizën e besimit.
Prej vitesh Kryeministri, qeveria, pseudomazhoranca nuk njohin as kufij moral, as ndjesi njerëzore, as virtyte kombëtare!
Kudo është mbjellë një lodhje shoqërore që buron nga iluzioni i stimuluar se ndryshimi politik është bërë i pamundur, i padobishëm, i panevojshëm! Kjo është autoçensura e re!
Këtu, në këtë Kuvend, nis përgjegjësia jonë historike, madhështia e qytetarëve të lirë!
Partia Demokratike është e vetmja alternativë reale, misionare dje, misionare sot, misionare nesër!
Ne jemi Partia që ndan epokat: 36 vjet më parë ndamë diktaturën nga demokracia, sot ndajmë demokracinë nga autokracia, këtë neo diktaturë të rilindur.
Ne jemi Partia që ndan të shkuarën nga e ardhmja,
Imoralitetin dhe injorancën nga morali dhe kultura,
Errësirën nga drita,
Ndershmërinë nga batakçillëku,
Punën nga korrupsioni
Ne nuk jemi vetëm kundërshtarë të qeverisë, ne jemi alternativa e gatshme për të qeverisur.
Ashtu siç kemi bërë për 13 vjet, me kompetencë, përmbajtje, standarde, shtet ligjor, NATO, Shqipëri pa viza, infrastrukturë moderne, luftë dhëmbë për dhëmbë me mafien dhe krimin e organizuar.
Një thirrje e kam për intelektualët e këtij vendi: të dalin nga heshtja dhe t’u druhen mureve të konformizmit!
Roli i intelektualit në demokraci është themelor: ai nuk duhet të imponojë të vërteta absolute, por të veprojë si një ‘rojtar kritik’, duke nxitur mendimin e lirë, përfshirjen dhe dialogun, me qëllim që të luftojë apatinë qytetare dhe dezinformimin që e relativizon atë vetë!
Në këtë Kuvend do të vendosim që në vitet që vijnë të bëjmë gjithçka, më shumë, më mirë, për t’u dhënë shqiptarëve Shqipërinë europiane!
Do ta bëjmë sepse ne jemi modernë dhe konkurrues: në vizion, organizim, program dhe, mbi të gjitha, në kulturën tonë demokratike, profesionalizmin, integritetin, ekipin qeverisës.
Rrotacioni politik nuk është as dhuratë, as objektiv elektoral, por nevojë ekzistenciale kombëtare, jetë e frymëmarrje, ligjësi e zhvillimit dhe vlerë demokratike; ai i jep fund tiranisë së shumicës, ndërtuar mbi vota të grabitura, mbi farsë elektorale!
Historia moderne na ka çertifikuar në dhjetor 1990, mars 1992, në 2005 e 2009 dhe do të na riçertifikojë në zgjedhjet lokale të vitit 2027 e në ato të procesit të ardhshëm politik!
Fitorja e nesërme nis që sot, në këtë Kuvend.
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Partia Demokratike!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb