Në Gjermani, partia ultra e djathtë AfD, në opozitë, ka kaluar dukshëm CDU/CSU-në e kancelarit Merz në sondazhe.

Ajo duket më pranë pushtetit në landin lindor Saksoni-Anhalt, prej ku kandidati i saj sqaroi planet, në një intervistë me DW.

Auron Dodi nga DW ka zbuluar më shumë në lidhje me ndryshimin e fundit të sondazheve në Gjermani.

A kemi të bëjmë me një pamje të momentit, në këtë rritje maksimale të AfD-së në sondazhe?

A.Dodi: AfD-ja, partia ultra e djathtë, ka prej kohësh kuota të larta në sondazhe. Pra kemi të bëjmë me më shumë se një fotografi të momentit. Tani AfD-ja e thelloi kryesimin. Rreth 30 për qind e mbështetën së fundi, sipas institutit demoskopik INSA. Kjo e vendos AfD-në shtatë pikë përpara CDU/CSU rreth kancelarit Merz. Por tërmeti i vërtetë pritet nga lindja. Në landin Saksoni-Anhalt, ku votohet në shtator, AfD-ja merr rreth 42 për qind (41,6%), CDU-ja vetëm 25. Nëse parti të vogla nuk e kalojnë pragun prej pesë për qindësh, ose nëse SPD humbet atje pak, AfD-së i duhen vetëm dy-tre pikë për të qeverisur e vetme, pa partnerë e pa kompromise.

Pikërisht prandaj është vënë në qendër të vëmendjes kandidati i AfD-së atje, Ulrich Siegmund. Se çfarë do të thoshte ardhja e AfD-së në pushtet në lindje, është temë analize e medieve kryesore gjermane, javët e fundit.

Cilat janë tezat kryesore?

Programin, kandidati kryesor i AfD-së në Saksoni-Anhalt, e sqaroi edhe në një intervistë ekskluzive për DW. Siegmund e paraqiti hapur objektivin: shpreson jo vetëm për fitore, por për një efekt domino, që do ta ndryshonte gjithë Gjermaninë. Policia dhe organet e sigurisë, tha ai, do të punojnë me AfD-në në pushtet “me neutralitet”, të orientuara te „interesat e landit”. Pyetja që vjen natyrshëm është: kujt i takon t’i përcaktojë këto interesa të landit?

Kritikët druhen se AfD flet për „depolitizim”, por në fakt synon një zhvendosje të organeve drejt parimeve nacional-konservatore.

Kandidati i AfD-së tha më tej se do të zëvendësojë rreth 200 nëpunës civilë, pa i kontrolluar ideologjikisht të rinjtë. Kjo tingëllon normale për të tjerët, por nëpunësit civilë në Gjermani e kanë të detyrueshme ta respektojnë kushtetutën.

Tërheq vëmendjen edhe politika arsimore. Çfarë planifikon AfD-ja?

Arsimi është, me gjasa, pjesa ku priten ndryshimet më rrënjësore. Nga planet mësimore do të eliminohen përmbajtje të caktuara, si antiracizmi, programet e diversitetit dhe temat LGBTQ+. Veç kësaj, dëmijët e ardhur si refugjatë duhet ta ndjekin mësimin veç, në klasa të ndara, po të fitojë AfD.

Kandidati i AfD tha se kërkon edhe shkollimin në shtëpi. Por në Gjermani ekziston detyrim për të vajtur në shkollë deri në moshën dhjetëvjeçare, në shkolla profesionale edhe më gjatë. Qëllimi si duket është që shteti të mos kontrollojë dot përmbajtjet arsimore. Njëkohësisht, AfD kërkon të zgjerohet mësimi i rusishtes dhe programet e shkëmbimit me Rusinë.

AfD-ja ka tone të ashpra për migrimin. Çfarë i pret ata që duhet të largohen, po fitoi ajo në Saksoni-Anhalt?

Kandidati i AfD-së la të kuptohej se këtu do të jetë ashpërsimi më i madh i kursit. Për ata që duhet të largohen, paraburgimi do të bëhet „rregull”, pa përjashtim, i zbatuar nga një task-forcë e posaçme.

Janë rreth 5000 vetë (4.836) në këtë land që kanë sot detyrim largimi.

Por juristët e quajnë „juridikisht tepër të diskutueshme” arrestimin e të gjithëve, para dëbimit. Rasti individual, që e mbron ligji, nuk luan me sa duket rol në deklaratën e AfD-së.

A do të mund t’i zbatonte AfD-ja të gjitha këto që thotë?

Në arsim, polici dhe administratë një land ka vërtet shumë hapësirë veprimi. Sipas gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung pritet një valë e pazakontë e madhe pensionimesh për shkak të moshës, dhe kjo hap mundësi për zëvendësime. AfD-ja mund të punësojë nëpunës civilë të rinj, që pastaj janë praktikisht të pashkarkueshëm, nëse nuk bëjnë shkelje në shërbim.

Por Gjermania është shtet federal. Fushat qendrore i rregullon federata, dhe kushtetuta vendos kufij të qartë. Ekziston një „detyrim i federatës”, për shembull te rastet e azilit dhe te detyrimi për vajtje në shkollë. Pra shumë synime të AfD-së mund të mbeten thjesht premtime.

Si reagojnë partitë e tjera ndaj këtij avancimi të AfD?

Deri tani partitë kryesore kanë përjashtuar çdo bashkëpunim. CDU-ja ka deklaruar një „mur mbrojtës”, domethënë një refuzim parimor të çdo afrimi me AfD-në. Pjesa dërrmuese e CDU/CSU sheh këtë kufi si pjesë të ADN-së, sepse radikalizmi i djathtë, revizionimi i historisë dhe ashpërsia ndaj të huajve e jetës hebraike, me të cilat identifikohet AfD, mund ta copëtonin CDU-në.

Për SPD-në, lufta kundër AfD-së, është një nga të paktat gjëra që ende e bashkojnë.

Por disa analistë thonë se një pjesë e votuesve duan ta lënë AfD-në të vijë në pushtet, në mënyrë që të shihet se nuk ofron gjë vërtet, pra që të dështojë. Ky do të ishte eksperiment me të panjohura. Dhe nëse AfD merr pushtet, ndryshimin mund ta ndjente jo vetëm Gjermania, por edhe Evropa, sepse AfD do të theksonte elementë nacionalë, jo afrues me shtetet e tjera.

Çfarë i shtyn njerëzit ta votojnë AfD, a ka një kundërnarrativë për këtë parti?

Dikur shumë votonin fshehurazi për AfD-në, sot flasin më hapur, sidomos në lindje të Gjermanisë. Disa analistë e shpjegojnë këtë me një „hakmarrje” të votuesve për pritjet e zhgënjyera.

Por demokratët tani, duket se po ndjekin një rrugë argumentuese ndaj AfD-së, jo vetëm përjashtimin e kësaj partie, pra një kundërnarrativë.

Kështu, javën e kaluar kryesia e CDU-së botoi një broshurë, ku përshkruan hollësisht çfarë kanë thënë e bërë politikanët kryesorë të AfD-së për historinë, për Evropën, për mbrojtjen, për ekonominë, për Rusinë dhe Kinën. Pra synohet distancimi në përmbajtje. Edhe Manfred Weber, shef i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, deputet i CSU-së bavareze, ecën në të njëjtin drejtim: në një letër, ai kërkon të theksohen elementët që i bashkojnë demokratët, jo që i ndajnë. Ai bën thirrje për propozime me vështrim nga e ardhmja.

Njëkohësisht, përsa u përket pritjeve të njerëzve ndaj partive në pushtet: deri në korrik, koalicioni qeveritar pritet të ofrojë edhe vepra “më konkrete”, si për shembull një reformë të taksave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb