Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela është pezulluar nga detyra përmes një vendimi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita.
Sipas njoftimit në lidhje me protestën e sotme në zonën e Zvërnecit, u bë një raportim i gabuar nga Policia e Vlorës, e cila tha se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, duke u shprehur se besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Po ashtu në njoftim theksohet se lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit:
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.
Çfarë ndodhi sot në Zvërnec
Aktivistët e Shoqërisë Civile dhe qytetarë të ndryshëm te Zvernecit dhe Nartës kanë protestuar ditën e sotme kundër ndërtime turistike ne kete zonë. Aktivistët janë përplasur ditën e sotme me disa roje private, ndërkohë që kantieri është rrethuar nga forcat të shumta të policisë.
Gjatë këtij tubimi kundër ndërtimeve në bregdet, një incident ka ndodhur mes protestuesve, të cilët kanë kërkuar të heqin hekurat rrethues, ndërkohë që njëri prej tyre është shoqëruar nga persona të veshur civilë.
Në videon e shpërndarë masivisht në rrjetet sociale, shihet teksa protestuesi tërhiqet zvarrë brenda perimetrit të rrethuar nga dy persona me maska dhe kapele, ndërkohë që forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë, por kanë qëndruar me skafandra në hyrje të rrethimit.
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i pranishëm në këtë tubim, e ka quajtur të papranueshëm faktin që Policia e Shtetit nuk ka ndërhyrë, ndërsa aktivistët janë tërhequr zvarrë nga rojet private të kompanisë që po ndërton në Nartë.
