Japonia dhe Kina “përplasin për militarizimin: Tokio kundërshton akuzat e Pekinit
Ministri japonez i mbrojtjes Shinjiro Koizumi ka hedhur poshtë akuzat e Kinës se Japonia po ndjek një “militarizëm të ri”, duke theksuar se është Pekini që përbën shqetësimin kryesor për sigurinë rajonale për shkak të zgjerimit të shpejtë ushtarak.
Duke folur në ditën e fundit të samitit të mbrojtjes Shangri-La Dialogue në Singapor, Koizumi tha se Kina po rrit shpenzimet ushtarake dhe po zgjeron kapacitetet e saj pa transparencë të mjaftueshme, duke krijuar pasiguri për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar.
Ai deklaroi se “është e natyrshme” që çdo vend, përfshirë Japoninë, të modernizojë mbrojtjen e tij për t’u përballur me sfidat e reja të sigurisë, duke theksuar se ky proces nuk duhet të interpretohet si rikthim i militarizmit.
Deklaratat e tij vijnë si përgjigje ndaj kritikave të përsëritura nga Pekini, përfshirë paralajmërimet e zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes kineze Jiang Bin, i cili kishte akuzuar Japoninë për “neo-militarizëm” dhe rritje të rrezikshme të kapaciteteve ushtarake.
Koizumi theksoi se Japonia nuk zotëron armë bërthamore dhe nuk ka bombardues strategjikë, ndryshe nga Kina, të cilën ai e përshkroi si fuqi me një arsenal të madh ushtarak që ngre shqetësime serioze për stabilitetin global.
Në fjalimin e tij, ministri japonez u përpoq gjithashtu të qetësonte vendet e rajonit aziatik, disa prej të cilave kanë histori të dhimbshme me Japoninë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke premtuar transparencë më të madhe dhe dialog të vazhdueshëm.
Nga ana tjetër, Kina reagoi duke kërkuar që Japonia të marrë përgjegjësi për të kaluarën e saj historike, përfshirë kërkim-faljet për krimet e kryera gjatë luftës në Azi.
Debati vjen në një kohë kur Japonia po rrit ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes, duke synuar të arrijë objektivin prej 2% të PBB-së, si dhe të investojë në teknologji të reja ushtarake, përfshirë raketa dhe dronë.
Ndërkohë, qeveria e kryeministres Sanae Takaichi po shqyrton edhe ndryshime të rëndësishme në politikën e sigurisë, përfshirë rishikimin e parimeve pacifiste të pasluftës, gjë që ka ndezur debat të gjerë brenda vendit mbi të ardhmen e identitetit ushtarak të Japonisë.
