Prej disa ditësh, zona përreth ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan po përballet me një situatë shqetësuese mjedisore, e cila sipas banorëve po përkeqësohet.
Shtëllunga të dendura tymi mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të territorit, duke shkaktuar ndotje alarmante të ajrit dhe shqetësime serioze për komunitetin.
Banorë të disa fshatrave të Njësisë Administrative Belsh, si dhe zona të tjera pranë ish-Metalurgjikut, shprehen se prej ditësh janë të detyruar të përballojnë një erë të rëndë dhe mbytëse, e cila sipas tyre dyshohet se vjen nga djegia e gomave dhe mbetjeve të tjera të rrezikshme.
Ata tregojnë se tymi bëhet më i dukshëm në orët e mbrëmjes, kur retë e zeza përhapen në atmosferë dhe aroma e keqe ndihet në distanca të konsiderueshme.
Sipas banorëve, situata është denoncuar pranë institucioneve përgjegjëse, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret dhe asnjë ndërhyrje të dukshme për të identifikuar burimin e ndotjes apo për të ndalur fenomenin.
Kjo mungesë veprimi ka shtuar indinjatën e komunitetit, i cili kërkon hetim të menjëhershëm dhe transparencë nga autoritetet lokale dhe ato mjedisore.
Edhe mbrëmjen e kësaj të diele, situata paraqitet mjaft problematike. Shtëllungat e tymit vijojnë të jenë të dukshme nga larg, ndërsa banorët raportojnë se ndotja dhe era e rëndë vazhdojnë të ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre.
Ata shprehin frikën se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tymit mund të sjellë pasoja për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes.
