Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se “asgjë nuk e justifikon përshkallëzimin e madh të vazhdueshëm në Libanin jugor” dhe se është e domosdoshme që konfliktet të marrin fund.
Në një postim në platformën X, Macron theksoi se “është urgjente të heshtin armët, të gjitha, një herë e përgjithmonë”, pas një serie bisedimesh telefonike me liderë të rëndësishëm të rajonit.
Presidenti francez zhvilloi konsultime me Mohammed bin Salman, Haitham bin Tariq, Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe Abdel Fattah el-Sisi, me fokus situatën e sigurisë në rajon dhe zhvillimet e fundit në Liban.
Macron nënvizoi gjithashtu rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje diplomatike mes Shtetet e Bashkuara dhe Irani, duke e cilësuar atë si një hap thelbësor për stabilitetin rajonal.
“Është thelbësore të arrihet shpejt një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit”, shkroi presidenti francez, duke theksuar nevojën për dialog dhe zgjidhje diplomatike në një periudhë të tensionuar për Lindjen e Mesme.
