Një fëmijë gjashtëvjeçar ka humbur jetën dhe 11 persona të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dron në një zonë të kontrolluar nga Rusia në rajonin e Khersonit, në jug të Ukrainës. Sipas autoriteteve lokale, droni goditi një ndërtesë apartamentesh në qytetin e Genicheskut, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme.

Autoritetet lokale raportuan se për shkak të sulmit është anuluar edhe një aktivitet festiv i planifikuar për fëmijët gjatë fundjavës.

Ndërkohë, sulmet ruse vijojnë të shkaktojnë viktima në pjesë të tjera të Ukrainës. Guvernatori i rajonit të Dnipropetrovskut, Oleksandr Khandza, bëri të ditur se një grua u vra dhe pesë persona të tjerë mbetën të plagosur pas bombardimeve ruse në zonën e Nikopolit.

Situata mbetet e tensionuar edhe në veri të vendit. Rreth 40 mijë banorë në rajonin e Chernihivit kanë mbetur pa energji elektrike pas një sulmi rus ndaj infrastrukturës energjetike, njoftoi kompania shtetërore e energjisë përmes Telegramit.

Në planin diplomatik, përpjekjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për arritjen e një armëpushimi dhe një marrëveshjeje paqeje duket se kanë ngecur, ndërsa vëmendja e Uashingtonit është përqendruar te konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iranin.

Në një intervistë për rrjetin amerikan CBS, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, theksoi se negociatat duhet të vazhdojnë me synimin për të arritur një marrëveshje paqeje përpara ardhjes së dimrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb