Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, më 1 Qershor, institucioni i Avokatit të Popullit iu bashkua nismës së një grupi prindërish për mbledhjen e firmave me qëllim ndryshimin e ligjit dhe garantimin e mbulimit të plotë financiar për trajtimin e të miturve, brenda ose jashtë vendit.
Avokati i Popullit, Endrit Shabani, deklaroi se nuk ka asnjë shtet aq të varfër sa të mos garantojë kujdesin shëndetësor për fëmijët.
“Është e pajustifikueshme që ne ende në Shqipëri detyrohemi të hapim fushata ‘GoFundMe’ për të financuar trajtimin shëndetësor të fëmijëve shqiptarë, në një shtet ku shëndetësia, sipas ligjit, është falas dhe ku ekziston një angazhim kushtetues për garantimin e kësaj të drejte. Bëhet fjalë për një të drejtë kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të fëmijëve.
Ka struktura shtetërore, përfshirë ato ndërspitalore që koordinojnë trajtimin e fëmijëve, të cilat duhet të jenë më transparente dhe të raportojnë më qartë mbi trajtimin e tyre shëndetësor.
Unë e mbështes këtë nismë që synon krijimin e të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor për të garantuar që, në asnjë rrethanë, të mos ketë më fëmijë që mbeten pa trajtim për shkak të mungesës së fondeve. Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të garantojë trajtim shëndetësor 100% falas për të gjithë fëmijët.
Këtu flasim për fëmijë me sëmundje onkologjike, për fëmijë me aftësi të kufizuara apo me sfida të tjera të shumta shëndetësore. Flasim për çdo sfidë me të cilën përballen sot prindërit, komuniteti dhe shoqëria, të cilët shpesh detyrohen të kërkojnë forma alternative financimi”, u shpreh Shabani.
Ai theksoi se institucioni i Avokatit të Popullit do të përdorë kompetencat kushtetuese për të kërkuar një seancë dëgjimore në Kuvend lidhur me këtë çështje, duke qenë se bëhet fjalë për një nismë qytetare.
“Ne do të ushtrojmë kompetencat kushtetuese që kemi për t’i kërkuar Kuvendit të dëgjohemi posaçërisht për këtë çështje dhe më pas të monitorojmë zbatimin e ligjit. Në Shqipëri, shumë të drejta garantohen në letër, por jo gjithmonë në praktikë.
Kjo është një nismë që duhet inkurajuar dhe mbështetur. E kam të vështirë të imagjinoj një deputet që do të votonte kundër ose do të injoronte një nismë që synon garantimin e shëndetit të fëmijëve shqiptarë. Ne jemi këtu për ta mbështetur atë. Përtej nismës ligjore, kemi edhe detyrime kushtetuese për t’i kërkuar Kuvendit që të trajtojë me prioritet çështjen e kujdesit shëndetësor për fëmijët dhe për të lobuar që ky ligj të miratohet”, tha Shabani.
Sipas tij, mbështetja për nismën u forcua edhe nga një rast i fundit në Korçë, i cili riktheu vëmendjen te problematika e financimit të trajtimeve mjekësore për fëmijët.
“Rasti i Korçës ishte shtysa e fundit, por jo i vetmi. Në përditshmërinë tonë, sidomos në rrjetet sociale, hasim vazhdimisht kërkesa për ndihmë financiare për trajtimin e fëmijëve. Ajo që menduam ishte të kërkonim një zgjidhje përfundimtare, një zgjidhje që t’i japë fund kësaj situate.
Aktualisht kemi mbledhur mbi 17 mijë firma dhe kanë mbetur edhe disa javë deri në përfundimin e fushatës. Do të intensifikojmë ritmin dhe besojmë se do të kalojmë pragun e kërkuar prej 20 mijë nënshkrimesh”, përfundoi ai.
