Deputeti socialist Erion Braçe është shprehur në Kuvend se problemet dhe ngatërresat me pronat në Vlorë, por edhe në gjithë Shqipërinë, kanë nisur që nga viti 1993 me ligjin 7501. ““Në vitin 2009, drejtuesi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave ka qenë njëri që ti e njeh shumë mirë. Meqë i përmende emrin, kam qenë i vetmi në këtë sallë që në vitet 2000-2003 kam qenë i pari që kam denoncuar grabitjen e pronave në Vlorë dhe veçanërisht në këtë territor për të cilin bëhet fjalë. Mund të hapësh gazetën Zëri i Popullit, është publikuar 200 ditë rresht, se çfarë i kishte ndodhur nga viti 1993 dhe në vijim, veçanërisht me atë procesin e turpshëm të shndërrimit të tokës që ishte fond pyjor, në tokë bujqësore, për t’u ndarë me 7501 për të gjithë ata që sot thonë jemi homogjenë grekë”, tha Braçe.

Ai ka kërkuar në seancën plenare të Kuvendit praninë e ministrave gjatë diskutimeve, duke theksuar se kjo do t’u jepte mundësi deputetëve të adresonin më drejtpërdrejt shqetësimet e tyre pas “Javës së Gjelbër”.

Sipas Braçes, seancat parlamentare janë menduar pikërisht si një hapësirë ku deputetët, pas takimeve në terren, të ngrenë problematikat përballë përfaqësuesve të ekzekutivit.

“Unë jam fajtori gjithmonë, s’ka asnjë problem. Me thënë të drejtën, këto seanca janë bërë që të gjithë deputetët që vijnë nga Java e Gjelbër dhe ngrenë shqetësimet e tyre në prani të ministrave. Pa praninë e tyre, më duket sikur flasim me veten.

Unë e kërkoj shumë ministrin e Bujqësisë, por nuk e gjej. Të hënën e kaluar, unë dhe disa bujq i kemi dërguar një shkresë zyrtare nga Kuvendi drejt drejtorisë së AKU-së, duke sjellë në vëmendje faktin se prej muajsh në treg po shitet ure me përqindje azoti më të ulët se ajo e lejuar. Është një fertilizant i domosdoshëm për drithërat.

Nuk kam marrë asnjë reagim nga Ministria e Bujqësisë. Këto dua t’i them edhe ministrit edhe drejtuesit të AKU-së”, u shpreh Braçe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: