Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk është informuar për pezullimin e bisedimeve nga Irani me Uashingtonin, por ka theksuar se mes dy palëve ka pasur “shumë komunikim” dhe se një periudhë qetësie do të ishte e dobishme. Në një intervistë për NBC News, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të presin zhvillimet, duke shtuar se Irani po humb një mundësi të rëndësishme ekonomike.

“Të them të vërtetën, mendoj se flasim shumë. Do të ishte mirë të kishte pak heshtje dhe kjo mund të vazhdonte për një kohë. Kjo nuk do të thotë që do të fillojmë të hedhim bomba kudo. Thjesht do të qetësoheshim. Mendoj se mund të pres sa të duan. Po humbasin një pasuri,” u shpreh Trump.

Më herët, agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se Teherani kishte pezulluar negociatat indirekte me SHBA-në, pas përshkallëzimit të situatës në rajon dhe operacioneve ushtarake izraelite në Liban, që sipas saj kanë ndikuar në procesin diplomatik.

Trump shtoi gjithashtu se iranianët janë negociatorë të mirë, por theksoi se nuk kishte marrë informacion zyrtar për pezullimin e bisedimeve. Ndërkohë, tensionet në rajon vijojnë të ndikojnë edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme, ndërsa bursat evropiane kanë mbyllur sesionin në rënie. Indeksi Euro Stoxx 50 ra me 0.64%, ndërsa ulje u regjistruan në Paris (-0.79%), Frankfurt (-0.80%), Milano (-0.81%) dhe Londër (-0.87%).

Në tregjet e energjisë, Brent u rrit me 6.60% në 97.13 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate u rrit me 7.62% në 94.02 dollarë për fuçi. Në zhvillimet ushtarake, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar sulme në periferi të jugut të Bejrutit, duke synuar zona që Izraeli i konsideron baza të Hezbollahut, në kuadër të operacioneve të zgjeruara në Libanin jugor.

Nga ana e tij, Komisioni Evropian ka bërë thirrje për ndalimin e përshkallëzimit ushtarak në Liban dhe respektimin e sovranitetit të vendit, duke theksuar nevojën për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike. Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kanë kapur dy raketa balistike iraniane në Kuvajt që dyshohet se kishin në shënjestër trupat amerikane. Sipas deklaratës zyrtare, nuk raportohet për të lënduar dhe forcat amerikane mbeten në gatishmëri për të mbrojtur personelin e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: