Nën moton “Qielli i hapur. Mendje të hapura!”, nisi në Tiranë Edicioni i Trembëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në Shqipëri dhe rajon. Për pesë ditë me radhë, amfiteatri dhe mjediset e Universitetit të Arteve do të shndërrohen në një hapësirë takimi mes kineastëve, artistëve, studiuesve, studentëve dhe publikut, të bashkuar nga besimi në fuqinë e kinemasë për të krijuar dialog, reflektim dhe mirëkuptim.

Ceremonia e hapjes mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve kulturore, universiteteve, industrisë së filmit dhe medias, prefektin e Tiranës, Shkëlqim Hajdari, si edhe artistë e kineastë nga vende të ndryshme të botës, duke konfirmuar edhe njëherë profilin ndërkombëtar të festivalit dhe rolin e tij si një platformë e rëndësishme shkëmbimi kulturor.

Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi dhe drejtori i festivalit, Edmond Topi, u ndal te filozofia që udhëheq edicionin e sivjetëm:

“Qielli i hapur. Mendje të hapura. – është më shumë se një formulë poetike; është një filozofi që përshkon vetë thelbin e kinemasë. Sepse filmi, në esencën e tij, është një dritare e hapur drejt botëve të tjera, një mënyrë për të parë përtej vetes dhe për të kuptuar më thellë realitetin që na rrethon.”

Drejtorja artistike e festivalit, Mirela Oktrova, iu referua rolit të kinemasë si instrument njohjeje dhe reflektimi, duke theksuar se:

“Filmat e mëdhenj nuk rrëfejnë thjesht ngjarje. Ata ofrojnë këndvështrime dhe sfidojnë bindje. Kinemaja është mënyrë të menduari, mënyrë të ndieri, mënyrë të kuptuari. Sepse kinemaja nuk është thjesht art, thjesht industri apo thjesht argëtim. Kinemaja është botëkuptim.”

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Sipas saj, në një kohë kur zhurma shpesh mbivendos kuptimin dhe spektakli zëvendëson reflektimin, festivale si DEA OPEN AIR mbeten ndër hapësirat e pakta ku arti i filmit vazhdon të mbrojë mendimin kritik, ndjeshmërinë dhe dialogun kulturor.

Në konkurrim për Çmimet DEA 2026 marrin pjesë 40 filma nga 25 vende të botës, të ndarë në tre seksione konkurruese: Filmi me Metrazh të Gjatë, Filmi Studentor dhe Filmi i Shkurtër.

Programi i këtij viti sjell një panoramë të gjerë të kinemasë bashkëkohore ndërkombëtare, duke bashkuar emra të afirmuar dhe autorë të rinj nga tradita të ndryshme filmike.

Edicioni XIII u hap me filmin “Gülizar”, me regji të Belkıs Bayrak dhe produksion të Valmira Hysenit, një vepër që mishëron në mënyrë të plotë filozofinë e festivalit të sivjetëm.

Filmi rrëfen historinë e një gruaje të re, jeta e së cilës ndryshon rrënjësisht pas një akti dhune seksuale, duke eksploruar jo vetëm traumën individuale, por edhe paragjykimin dhe presionin shoqëror që shpesh rëndojnë mbi viktimën.

Përmes një qasjeje të ndjeshme dhe të guximshme artistike, “Gülizar” ngre pyetje të rëndësishme mbi dinjitetin njerëzor, drejtësinë dhe të drejtën e individit për të mos u përcaktuar nga dhuna e përjetuar.

Filmi ka një domethënie të veçantë për DEA OPEN AIR, pasi regjisorja Belkıs Bayrak dhe producentja Valmira Hyseni kanë qenë më parë pjesë e jurisë ndërkombëtare të festivalit në Tiranë.

Në këtë kuptim, “Gülizar” përfaqëson jo vetëm filmin hapës të këtij edicioni, por edhe një dëshmi konkrete të rolit të DEA-s si një hapësirë ku lindin bashkëpunime krijuese dhe ku zhvillohen marrëdhënie afatgjata artistike.

Pas ceremonisë së hapjes dhe shfaqjes së filmit “Gülizar”, DEA OPEN AIR hyn menjëherë në ritmin e plotë të konkurrimit ndërkombëtar.

Dita e martë, 2 qershor, sjell për publikun katër seanca projeksionesh me filma nga Europa, Azia, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine, duke ofruar një panoramë të larmishme të kinemasë bashkëkohore.

Programi nis me Seksionin e Filmit Studentor, ku autorë të rinj nga gjashtë vende prezantojnë vizionet dhe shqetësimet e brezit të ri të kineastëve, vijon me Programin e Filmit të Shkurtër dhe vazhdon me dy filma në konkurrimin kryesor: “Verë pa orë” të regjisorit Yan Kunao dhe “Hera e Tretë” të Gianni Aureli-t.

Përmes katërmbëdhjetë filmave që sjellin kultura, përvoja dhe këndvështrime të ndryshme mbi njeriun dhe shoqërinë, festivali vijon të afirmojë profilin e tij ndërkombëtar dhe moton e këtij edicioni – “Qielli i hapur. Mendje të hapura.” – duke ftuar publikun në një udhëtim të përbashkët përmes historive, emocioneve dhe botëkuptimeve që vetëm kinemaja mund t’i bashkojë në të njëjtën hapësirë dialogu.

Edicioni i Trembëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR zhvillohet në Tiranë nga 1 deri më 5 qershor 2026.

Përmes projeksioneve, takimeve me autorët, diskutimeve profesionale dhe shkëmbimeve kulturore, festivali vijon të afirmojë misionin e tij si një platformë ndërkombëtare e kinemasë së pavarur, dialogut kulturor dhe mendimit të lirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb