Policia e Tiranës arrestoi rojën e OTP bank që u grabit ditën e djeshme. Fehemi Çullhaj akuzohet se nuk ka vepruar në momentet e grabitjes për të neutralizuar autorin.
Burime bëjnë me dije se autori ka arritur që t’i grabisë 10 mijë pound një qytetareje e cila ishte brenda bankës dhe po depozitonte paratë. Ndërkohë ka arritur që të grabisë dhe paratë nga arka e vetë bankës.
Ende nuk dihet shuma totale që është grabitur, ndërsa ai ndodhet në arrati.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”. Arrestohet roja i bankës, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”, arrestuan në flagrancë shtetasin F. Ç., 60 vjeç, punonjës i një shoqërie private të sigurisë fizike, i ngarkuar për ruajtjen e bankës.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi F. Ç. është larguar përkohësisht gjatë orarit të shërbimit dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e ambienteve të brendshme të bankës. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.
