New York Times i ka bërë jehonë protestave të mbajtura ditët e fundit kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Gazeta shkruan se kundërshtimet ndaj zhvillimeve të planifikuara në bregdetin shqiptar janë shndërruar në një pikë të nxehtë të pakënaqësisë më të gjerë ndaj qeverisë.

Sipas artikullit, në qendër të debatit janë dy projekte me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë: një kompleks hotelier luksoz në ishullin e Sazanit dhe një tjetër zhvillim në zonën e Zvërnecit, pranë lagunas dhe ekosistemeve të mbrojtura.

Ambientalistët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis, si dhe për mungesën e transparencës në procedurat e miratimit.

Kryeministri Edi Rama i ka mbrojtur vazhdimisht projektet, duke i konsideruar ato si një mundësi për të zgjeruar industrinë turistike të vendit dhe për të tërhequr investime të huaja. Në një reagim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se bëhet fjalë për “ambicien për të krijuar destinacionin më tërheqës në këtë anë të Mesdheut”.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e projekteve kanë ngritur dyshime për trajtim preferencial ndaj investitorëve për shkak të lidhjeve familjare të Kushner me Presidentin Trump. Kryeministri Rama i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Artikulli i The New York Times thekson se debati për këto projekte ka tejkaluar tashmë çështjet mjedisore, duke u kthyer në simbol të pakënaqësive më të gjera politike dhe sociale në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb