Detaje të reja vijnë nga Spitali i Traumës në kryeqytet, ku po marrin trajtim mjekësor efektivi i policisë që mbeti i plagosur dhe autori i ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq.

Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se efektivi i plagosur në krye të detyrës, Edison Adri, 36 vjeç, i është nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në pjesën e nofullës. Fatmirësisht, pas operacionit, gjendja e policit paraqitet stabël dhe nën monitorimin e vazhdueshëm të mjekëve.

Nga ana tjetër, po te Trauma po merr trajtim mjekësor edhe autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Violand Braçellari. Sipas të njëjtave burime, Braçellari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vijojë të qëndrojë i shtruar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm për plagët e marra gjatë përplasjes.

Ndaj autorit është vendosur masë e rreptë sigurie nga efektivët e policisë në ambientet e spitalit, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje që tronditi opinionin publik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb