Andoni Iraola është zyrtarisht trajneri i ri i Liverpool, me klubin e kuq që prezantoi teknikun spanjoll duke lënë “thatë” në këtë mënyrë Milan dhe çdo skuadër tjetër që kishte shfaqur interesim. Pas 3 viteve fantastike në krye të Bournemouth, ku arriti t’i dërgojë për herë të parë në Evropë, Iraola bën këtë hap gjigand në karrierën e tij duke firmosur një kontratë 2 vjeçare me një nga klubet më të mëdha në botë.
Në fjalët e tij të parë si i kuq, Iraola u shfaq entuziast për këtë aventurë të re: “Jam shumë i lumtur. Të gjithë e njohin Liverpool, një prej klubeve më të mëdha në botë. Sapo bëhesh pjesë e këtij klubi e kupton menjëherë madhështinë. Atmosfera, tifozët, lojtarët, gjithçka është fantastike. Liverpool është Liverpool, një klub i jashtëzakonshëm që të jep mundësinë të luftosh për trofe. Është e vështirë të gjesh diçka më stimuluese”, u shpreh Iraola për faqen zyrtare të klubit.
Iraola pason në këtë mënyrë Arne Slot, me teknikun holandez që u shkarkua nga stoli i kuq pas dy sezonesh, i fundit rezultoi fatal, ku Liverpool edhe pse investoi miliona euro në merkato u mjaftua vetëm me prezencën në Champions League.
