Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ka reaguar pas humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi të rëndë për familjen, kolegët dhe të gjithë institucionin e policisë.
Në deklaratën e saj ng Pogradeci ku po mbahen homazhe në nder të policit, Koçiu shprehu ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe kolegët e efektivit, ndërsa theksoi se çdo incident që ndodh gjatë ushtrimit të detyrës është një kujtesë e sakrificës që mbart profesioni i policit.
Koçiu nënvizoi se ngjarje të tilla duhet të shërbejnë si moment reflektimi për të gjithë shoqërinë, jo vetëm për sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit, por edhe për rëndësinë e sjelljes qytetare dhe respektimit të ligjit.
Sipas saj, përgjegjësia që mbartin efektivët e policisë shoqërohet edhe me një ngarkesë të madhe emocionale për familjarët dhe kolegët e tyre, veçanërisht në raste tragjike si ky.
“Në fakt, humbja e jetës së Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli është një ngjarje shumë e rëndë, ashtu siç është i rëndë çdo incident që kryhet në funksion të ushtrimit të detyrës, e mbi të gjitha të një detyre kaq fisnike sa mbrojtja, garantimi dhe siguria e rendit publik. Ngushëllime të gjithë familjarëve, ngushëllime kolegëve të tij, ngushëllime trupës së punonjësve të Policisë së Shtetit. Është një nga ato ngjarje të cilat na bëjnë të reflektojmë thellë mbi sakrificën dhe mbi përgjegjësinë që ushtrimi i kësaj detyre mbart, duke përfshirë aty edhe të gjithë ngarkesën që familjarët, miqtë, kolegët kanë në momente të tilla për çdo punonjës edhe efektiv të Policisë së Shtetit.
Ngushëllime të gjithëve, sepse në fakt në këtë ditë është një reflektim për të gjithë shoqërinë për të garantuar akoma më shumë përgjegjësi dhe për të reflektuar akoma më shumë kur vjen puna tek sjellja qytetare dhe patjetër pastaj edhe tek përgjegjësia përpara ligjit.”, tha Koçiu.
