Sot ndërroi jetë Gjokë Malçi, 79 vjeç, nga fshati Skuraj i Kurbinit kryetar i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve të rrethit Kurbin dhe një ndër figurat më të shquara të misionit të pajtimit në rajonin e Lezhës dhe më gjerë. Shkak i vdekjes ishte një infarkt kardiak.

Me vdekjen e tij, Kurbini dhe e gjithë hapësira shqiptare humbet një burrë të besës një njeri që gjithë jetën e shtriu dorën e pajtimit mes familjeve të armiqësuara, duke shpëtuar jetë njerëzish dhe duke mbyllur plagë të thella shoqërore.

  • foto galeri

Malçi vinte nga një familje me rrënjë të thella historike në Skuraj një fshat ku tradita e besës dhe e ndërmjetësimit ka shekuj histori. Sipas gojëdhënave të zonës, paraardhësi i familjes, Kokë Malçi, është përmendur si një burrë i urtë i kohës së Gjergj Kastriotit, figurë e respektuar në trojet e Kurbinit. Gjokë Malçi e mbajti gjallë këtë trashëgimi të thellë, duke e kthyer misionin e pajtimit në thirrjen e jetës së tij.

35 vjet mision 500 pajtime, 5.400 konflikte të zgjidhura

Misioni i Pajtimit të Gjaqeve të Kurbinit, i themeluar në vitin 1991 dhe i drejtuar gjatë gjithë ekzistencës së tij nga Gjokë Malçi, lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme: gjatë 35 viteve të veprimtarisë, ky mision ka realizuar 500 pajtime hasmërish dhe ka zgjidhur 5.400 raste konfliktesh që mund të përfundonin tragjike.
Misionarët e pajtimit të gjaqeve në Kurbin e shtrinë aktivitetin e tyre në çdo fshat të rrethit dhe, falë punës së tyre, në Kurbin sot nuk rezulton i ngujuar asnjë fëmijë apo grua një arritje e rrallë dhe e paçmueshme. Kjo është merita e veçantë e Gjokë Malçit, i cili gjeti gjithmonë gjuhën e mirëkuptimit atje ku të tjerët shihnin vetëm urrejtje.
Familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtojnë si njeri të qetë, të vendosur dhe të padepërtueshëm nga presionet cilësi që e bënë ndërmjetësin ideal në situatat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme. Lamtumirë

Gjokë Malçi la pas bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij.
Humbja e tij është e paplotësueshme për familjen, për Kurbinin dhe për të gjithë ata që besojnë se besa dhe fjala e nderit janë themelet e shoqërisë shqiptare. Emri i tij do të mbetet i gdhendur në kujtesën e të gjithë atyre familjeve që falë tij zgjodhën jetën mbi hakmarrjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb