Vala e protestave të diasporës shqiptare kundër qeverisë ka kaluar oqeanin, duke u zhvendosur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shqiptarë të shumtë janë mbledhur përpara godinës së Ambasadës Shqiptare në Uashington DC, duke iu bashkuar organizimeve të ngjashme që po ndodhin në shumë qytete dhe kryeqytete të Evropës.
Me thirrje të forta kundër ekzekutivit, shqiptarët e mbledhur në kryeqytetin amerikan kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama. Përveç kërkesës për largim, protestuesit kanë artikuluar përpara selisë diplomatike edhe thirrje për arrestimin e kreut të qeverisë, duke e bërë përgjegjës për situatën në vend.
Ky tubim në Uashington DC vjen si pjesë e një koordinimi të gjerë të diasporës në rang global, pasi protesta të ngjashme janë regjistruar më herët në qytete si Vjena, Berlini, Milano dhe Stokholmi, ndërkohë që brenda Shqipërisë revolta qytetare në rrugët e Tiranës vijon prej një jave.
View this post on Instagram
