Nata e parë e Festivalit të Pranverës në RTSH ngriti siparin e një edicioni që rikthen një traditë të dashur për publikun shqiptar, këtë herë me një format të ri dhe frymë bashkëkohore. Në skenë u ngjitën 20 artistët konkurrues, të shoqëruar live nga Orkestra e RTSH-së dhe bendi muzikor. Mbrëmja u çel me interpretimin e veprës së njohur të Vivaldit, “Pranvera”, nga Orkestra Simfonike e RTSH-së.
Moderatorët Bleona Qerreti dhe Nik Xhelilaj drejtuan mbrëmjen me elegancë dhe përcollën emocionet e rikthimit të festivalit pas më shumë se dy dekadash. Një nga momentet më të veçanta ishte rikthimi në skenë i Ledina Çelos, fituese e dyfishtë e Festivalit të Pranverës, e cila interpretoi hitin “San Valentino”.
Ndërkohë u prezantuan edhe dy juritë që do të vlerësojnë artistët dhe do të përcaktojnë fituesin e këtij edicioni. Fituesi do të vendoset përmes një formule të kombinuar: 60% nga Juria Profesionale dhe 40% nga Juria “Pranvera Digjitale”, Juria Profesionale përbëhet nga Eriona Rushiti, Ledina Çelo Kejsi Tola, Kamela Islamaj dhe kryetar i jurisë Markelian Kapidani.
Ndërsa Juria “Pranvera Digjitale” përbëhet nga Sara Berisha, Amos Zaharia, Krista Merkoçi, Arjon Muça dhe Rizarta Hoxha. Emocione të shumta sollën edhe të ftuarit specialë. Ku këngëtari Bashkim Alibali, fituesi i parë i këtij festivali, interpretoi këngën simbol “Në duart e nënës”.
Një moment emocionues i kësaj mbrëmje ka qenë dhe vlerësimi i këngëtarit aq të dashur për publikun Luan Zhegu i cili u nderua me çmimin e karrierës “Pranverë e Përhershme”, vlerësim i dorëzuar nga një tjetër personalitet i muzikës shqiptare maestro Zhani Ciko.
Në nder të tij, këngëtarja Kamela Islamaj solli një prej këngëve më të dashura të repertorit të artistit.
Në fund të mbrëmjes, juria profesionale përzgjodhi 12 këngët finaliste që do të garojnë në natën finale të 7 qershorit. Fituesi i Festivalit të Pranverës do të sigurojë automatikisht një vend në Festivalin e Këngës në RTSH në fund të vitit.
