Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Kamzën, duke zbardhur detajet zyrtare dhe dinamikën e krimit ku humbi jetën i riu Ardian Baloshi.
Sipas uniformave blu, njoftimi i parë është marrë rreth orës 11:25, kur shtetasi Ardian Baloshi rreth 27 vjeç, është transportuar në spital pa shenja jete. Menjëherë pas kësaj, është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para në terren.
Nga provat e administruara deri më tani, policia saktëson se i riu është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha” në Kamëz. Lidhur me motivin, autoritetet konfirmojnë se ngjarja ka pasur si pikënisje një konflikt për motive të dobëta mes palëve.
Si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë është identifikuar zyrtarisht shtetasi Sadik Llanaj, i cili sipas të dhënave të policisë është rreth 39 vjeç.
Aktualisht, në akset kryesore rrugore janë ngritur pika të shumta kontrolli, ndërsa forca të shtuara policore po zhvillojnë kontrolle intensive për lokalizimin dhe prangosjen e 39-vjeçarit. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
