Bruksel, 9 qershor 2026 – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala mori pjesë në forumin e 11-të botëror të kancerit 2026, organizuar nga revista prestigjioze “The Economist”, ku u diskutuan sfidat dhe zgjidhjet për garantimin e aksesit të barabartë në kujdesin ndaj kancerit në të gjithë Evropën.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Sala theksoi se pabarazitë në trajtimin e kancerit nuk mund të adresohen përmes reformave të fragmentuara, por kërkojnë transformim të plotë të sistemit shëndetësor, duke përfshirë parandalimin, depistimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin pas trajtimit.
Ajo nënvizoi se aksesi mbetet sfida kryesore në Evropë, duke theksuar se mundësitë për mbijetesë nuk duhet të varen nga vendbanimi i pacientit. Diagnostikimi i hershëm, qasja në trajtime inovative dhe zhvillimi i kapaciteteve të sistemeve shëndetësore janë faktorë vendimtarë për reduktimin e pabarazive.
Në panel, ministrja Sala prezantoi reformat që Shqipëria po ndërmerr në sektorin e onkologjisë, ndër më të rëndësishmet në sistemin shëndetësor të vendit, me fokus në rritjen e aksesit, cilësisë dhe barazisë në shërbime. Këto përfshijnë:
- Krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit si qendër kombëtare për kujdesin e integruar, kërkimin shkencor dhe edukimin;
- Decentralizimin e shërbimeve të onkologjisë mjekësore përmes forcimit të njësive rajonale;
- Modernizimin e shërbimit kombëtar të radioterapisë;
- Përmirësimin e legjislacionit për barnat dhe pajisjet mjekësore, duke e harmonizuar atë me standardet e Bashkimit Evropian;
- Përshpejtimin e transformimit digjital në shëndetësi për të përmirësuar koordinimin e kujdesit, sistemet e referimit dhe përdorimin e të dhënave shëndetësore.
Ministrja Sala theksoi se suksesi i politikave të kancerit nuk duhet të matet vetëm me përparimet shkencore, por edhe me aftësinë e sistemeve shëndetësore për të ofruar diagnozë më të shpejtë, kohë më të shkurtra pritjeje dhe kujdes më të koordinuar për pacientët.
