BULQIZE– Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në Bulqizë, ku kanë humbur jetën 3 persona dhe është plagosur një tjetër. Sipas policisë së Dibrës, aksidenti ka ndodhur në hyrje të fshatit Trebisht, teksa mjeti tip “Opel Astra” me targa AA 791 JY, me të cilin udhëtonin 4 personat, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë.

Si pasojë kanë humbur jetën shtetasit Azem Karabrahimi, 21 vjeç, banues në fshatin Ostren; Elena Bajrami, 32 vjeçe, dhe Musa Nuredini, rreth 55 vjeç.

Ndërsa shtetasi Gentian Sula, 27 vjeç, ndodhet i plagosur në gjendje të rëndë, dhe po mjekohet në Dibër të Madhe, Maqedoni.

Sipas policisë, nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor paraprakisht rezulton se shkaku i daljes së makinës nga rruga dyshohet se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

Automjeti tip Opel me targa AA 791 JY dyshohet se drejtohej nga Azem Karabrahimi i cili ka humbur jetën, por grupi hetimor ende nuk e ka përcaktuar saktë këtë, pasi kur policia ka konstatuar makinën e aksidentuar të rënë në humnerë, askush nuk ka qenë në vendin e shoferit, pasi trupat e tyre ndodheshin jashtë mjetit.

Në makinë udhëtonte edhe Elena Barjami 32-vjeçare  e cila humbi jetën. Ajo ishte motra e Azem Karabrahimi 21 vjeç. Gjithashtu ka humbur jetën edhe Musa Nuredini, kushëri i largët  i dy viktimave.

27-vjeçari Gentian Suli, i cili ka mbetur i plagosur, në momentin që automjeti po rrokullisej për në humnerë është hedhur nga makina, duke arritur të shpëtojë.

Mësohet se të aksidentuarit, të katërt nga fshati Ostren i Vogël, po ktheheshin nga Maqedonia dhe shkonin për në Trebisht.
(m.k/el.sp/er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: