Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij përpara deputetëve demokratë, ka zbardhur diskutimet në Konferencën Rajonale të Partisë Popullore Europiane (PPE) të mbajtur në Sarajevë.

Berisha bëri me dije se në këtë aktivitet të rëndësishëm, ku morën pjesë krerë shtetesh e politikanë të rajonit nën drejtimin e Manfred Weber, fokusi i tij kryesor ka qenë kriza politike në Shqipëri.

Sipas liderit të PD-së, ai e ka prezantuar situatën e vendit si “Shqipëria në sallën e urgjencës”, duke denoncuar para ndërkombëtarëve atë që ai e quajti regjim autokratik të lidhur me krimin dhe kartelet e drogës.

Berisha theksoi se u ka kërkuar zyrtarëve të PPE-së të ushtrojnë autoritetin e tyre për një zgjidhje paqësore të krizës, e cila kalon përmes dorëheqjes së Edi Ramës dhe krijimit të një qeverie teknike për zgjedhjet e ardhshme.

Në lidhje me aksionin opozitar, Berisha sqaroi para audiencës ndërkombëtare se protestat masive në vend nuk janë thirrur drejtpërdrejt nga PD, por mbështeten plotësisht prej saj për shkak të kërkesave të drejta qytetare.

Ai dënoi ashpër reagimin dhe fyerjet e kryeministrit Rama ndaj protestuesve dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare ndaj qytetarëve shqiptarë, duke argumentuar se “diktatorët nuk marrin kurrë vendime të drejta”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb