Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Kalibri”, duke goditur dy raste të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Si rezultat i aksionit, tre persona janë vënë në pranga, ndërsa janë sekuestruar armë zjarri, një granatë, municione dhe lëndë narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Shijak, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e veprimtarive kriminale dhe rritjen e sigurisë publike.
Në hyrje të qytetit të Durrësit u arrestuan shtetasit L. D. dhe A. M., të dy banues në Lezhë. Ata u kapën duke lëvizur me automjet dhe dyshohet se po transportonin për ta shitur një armë zjarri pistoletë, së bashku me dy krehra dhe fishekë. Arma dhe municionet u gjetën në çantën e pasagjerit, ndërsa shtetasit L. D. iu gjet edhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Shtrazë të Shijakut, policia arrestoi edhe shtetasin D. T. Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, një granatë mbrojtëse me ndezës të montuar, një krehër arme dhe qindra fishekë luftarakë, të cilat mbaheshin pa leje.
NJOFTIMI I POLICISE
DVP Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Kalibri”. Goditen 2 raste të tjera të mbajtjes pa leje, të armëve të zjarrit.
Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 granatë, 3 krehra armësh, qindra fishekë luftarak dhe sasi Cannabisi.
Vihen në pranga 3 shtetas.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që përbëjnë rrezik për sigurinë publike, duke poseduar ose shitur armë zjarri, me qëllim kryerjen e ngjarjeve kriminale, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Shijak, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Kalibri”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit:
-L. D., dhe A. M., të dy banues në Lezhë, të cilët u kapën duke lëvizur me automjet, në hyrje të qytetit të Durrësit, dyshohet për të shitur një armë zjarri (pistoletë) me 2 krehra dhe fishekë. Arma dhe municioni u gjetën në çantën e pasagjerit, shtetasit L. D., të cilit iu gjet dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
-D. T., pasi gjatë kontrolleve në banesë në fshatin Shtrazë, Shijak, iu gjetën 1 armë zjarri (kallashnikov), 1 granatë mbrojtëse (me ndezës të montuar), 1 krehër arme dhe qindra fishekë luftarak, që posedoheshin pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
