Pas rrethimit të truallit me tela me gjemba pak ditë më parë, banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në tokat për të cilat kanë pretendime pronësie.
Prej afro një viti banorët e Baks-Rrjollit kundërshtojnë këtë projekt, me pretendimin se një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka tjetërsuar certifikatat e pronësisë, duke përvetësuar truallin dhe duke ia shitur investitorit që do të ndërtojë resortin turistik përballë bregdetit të Velipojës.

Që prej muajit janar të këtij viti, kur ndërtuesi nisi sistemimin e zonës me ekskavatorë, banorët e Baks-Rrjollit kanë protestuar pothuajse çdo ditë, duke u përplasur fizikisht me punonjësit e kompanisë, si dhe me rojet private të vendosur nga investitori. Përplasjet e dhunshme janë pasuar nga shoqërime dhe procedime të shumta për banorët e Baks-Rrjollit, kurse ndërhyrjet në terren për ndërtimet kanë vijuar, ndonëse çështja po ndiqet nga Prokuroria e Shkodrës. Po ashtu, banorët prej 2 javësh, i janë bashkuar protestave masive në Tiranë, duke e konsideruar situatën si vjedhje të pronës private.
