Një mesazh mjaft të fortë dhe me akuza drejtuar kreut të qeverisë ka përcjellë edhe një mjek gjatë protestës masive që po zhvillohet përpara Kryeministrisë. Ai deklaroi se dinjiteti i shqiptarëve nuk ka humbur dhe se revolta në shesh vjen si pasojë e arrogancës së një shteti që i ka lënë qytetarët e tij të pambrojtur.
Gjatë fjalës së tij, mjeku denoncoi situatën e rëndë në sistemin shëndetësor, duke folur për ngjarje makabre që ndodhin brenda spitaleve, ndërsa kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si e shpenzon kohën e tij.
“Protestojmë për të gjitha ato makabritete që shohim në spitale, ku fëmijët e larguar nga kjo jetë amanetin e fundit marrin nga prindërit, është të mos varrosen pa i parë ata për herë të fundit. Kryeministri ka gjetur kohë të merret me memet dhe influencerat. Kaq të tepërt e ke kohën sa të merresh me to? Në vend që t’i vesh gishtin kokës dhe t’i kthehesh popullit, merresh me to. Ne kërkojmë shtet e jo pushtet! Këtij vendi me nepotizmin i keni kallur datën”, u shpreh ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Edi Ramës, mjeku theksoi se koha e këtij regjimi ka mbaruar dhe se vendi ka nevojë për intelektualët e ndershëm dhe rininë për të ndërtuar një sistem të ri. Ai ironozoi Ramën duke thënë se fëmijët e atyre që ai mori dje në antimiting janë sot në protestë.
“Ti je shejtan e nuk i kupton dot të gjitha këto. Rama të erdhi fundi! Liro karrigen dhe lër të rinjtë të kristalizojnë sistemin! Sa më shumë qëndroni në pushtet, aq më shumë ua shërbeni atë oborreve tuaja klienteliste. Ju erdhi fundi”, mbylli fjalën e tij mjeku mes duartrokitjeve të turmës.
