Protesta masive në Tiranë ka vijuar të marrë një mbështetje të fuqishme nga diaspora, ku mjaft bashkatdhetarë kanë udhëtuar nga jashtë vendit për t’u ngjitur në podiumin përpara Kryeministrisë.
Mes tyre, një qytetare e ardhur posaçërisht nga Frankfurti i Gjermanisë ka përcjellë një mesazh të prerë, duke denoncuar dështimin e shërbimeve bazike në Shqipëri dhe duke i bërë thirrje administratës publike të reagojë.
Ajo u shpreh se punonjësit e administratës që mbështesin kryeministrin nuk e bëjnë këtë nga dëshira, por nga frika e humbjes së vendit të punës, ndërsa vuri në dukje se në vitin 2026 vendi ende vuan për ujë, drita dhe ilaçe nëpër spitale.
“Jam për të dhënë mbështetjen e Frankfurtit dhe gjithë diasporës. Jemi me ju pa frikë, jo si administrata që duartroket nga halli kryeministrin. Njerëzit e ndershëm të administratës të bashkohen me ne për të na ndihmuar në këtë nismë. Qytetarë, trokisni në dyert tuaja, por sistemi jua ka dështuar ndër vite. Kryeministër, hiq dorë ti, shoqëria jote dhe mbështetësit e tu! Jemi në vitin 2026 dhe akoma kemi spitale pa ilaçe, na ikin dritat dhe kemi ujë me orar”, deklaroi ajo me revoltë.
Në mbyllje të fjalës së saj, protestuesja akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar në vend të forcimit të institucioneve, duke konfirmuar se të njëjtën kohë po organizohen tubime edhe në Gjermani.
“Ky kryeministër preferon të bashkëpunojë me bandat dhe jo të mbështesë shtetin tonë. Diaspora është këtu! Tani që flas, në Frankfurt po organizohet një protestë dhe jam shumë krenare për këtë gjë”, përfundoi ajo mes duartrokitjeve të turmës në bulevard.
