Gazetari dhe studiuesi Ilir Ikonomi ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me protestën që po zhvillohet në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një fenomen të pazakontë dhe frymëzues.

Nga Uashingtoni, Ikonomi shprehet se po e ndjek protestën sikur të ishte vetë i pranishëm në shesh dhe se është i mahnitur nga kreativiteti i të rinjve shqiptarë.

Sipas tij, ndryshe nga shumë protesta në Europë që shpesh shoqërohen me përplasje, dhunë dhe tensione, protesta në Shqipëri po karakterizohet nga mesazhe inteligjente, meme, video dhe forma kreative të shprehjes qytetare.

“Ndërsa në raste të tilla sheshet e Europës shndërrohen në arena përleshjesh, tymi e zjarri, kjo e jona është një lumë i pafund memesh, videosh dhe artikulimesh inteligjente. Pa dhunë. Vetëm me dashuri për vendin, për tokën dhe për natyrën tonë të mrekullueshme”, shkruan ai.

Në reagimin e tij, ai ndalet edhe te emigracioni, duke treguar se ka dëgjuar dy të rinj të shprehen se do të riktheheshin për të jetuar në Shqipëri nëse largohet, sipas tyre, kasta e korruptuar politike.

“A ka gjë më të bukur se sa të kthehet një popullatë e re që sot konsiderohet e humbur, e ikur?”, pyet ai.

Në fund të mesazhit, Ikonomi shpreh keqardhjen që, sipas tij, zëri i protestuesve nuk po dëgjohet nga drejtuesit e vendit, duke bërë një paralelizëm me raste historike kur një lider i vetëm ka mbajtur peng aspiratat e një populli dhe të një brezi të tërë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb