Ukraina ka ndërmarrë sulme me dronë ndaj disa objekteve strategjike në territorin rus, duke goditur një strukturë të magazinimit të naftës në rajonin e Jarosllavit dhe uzinën kimike “Azot” në rajonin e Tulës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se uzina “Azot” është një element kyç për prodhimin e eksplozivëve të Rusisë, ndërsa njoftoi se janë kryer sulme edhe ndaj infrastrukturës ushtarake ruse në zonat e pushtuara të Ukrainës.

“Ukraina po zbaton planin e saj për sanksione afatgjata kundër Rusisë dhe misionet që lidhen me sulmet me rreze të mesme veprimi, në përgjigje të refuzimit të Rusisë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, shkroi Zelensky në platformën X.

Nga ana tjetër, guvernatori i rajonit të Jarosllavit, Mikhail Yevryaev, konfirmoi se gjatë natës u zhvillua një sulm masiv me dronë ukrainas. Sipas tij, shumica e mjeteve ajrore u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse, por disa arritën të godisnin objektet e magazinimit të karburantit, duke shkaktuar një zjarr të madh.

Që nga fillimi i luftës, Ukraina ka investuar në zhvillimin e dronëve dhe raketave të prodhuara në vend, të afta për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus. Gjatë këtij viti, Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive të naftës dhe objekteve të industrisë ushtarake ruse, në përpjekje për të dobësuar kapacitetet logjistike dhe prodhuese të Moskës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb