Mijëra qytetarë u mblodhën këtë të diel para Kryeministrisë në Tiranë, në ditën e 15-të të protestave kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin politik të vendit.

Gjatë tubimit, një nga zërat që tërhoqi vëmendje ishte ai i një të moshuare nga Durrësi, e cila tha se banesa e saj preket nga projekti TID në qytetin bregdetar dhe se, sipas saj, rrezikon të humbasë shtëpinë.

Ajo iu drejtua protestuesve me tone emocionale, duke shprehur mbështetje për të rinjtë dhe pjesëmarrësit në protestë.

“O sa të bukur jini! O zemrat e nënës… shqiptarët janë raca më e bukur në botë. Më bëhet qejfi që rinia është këtu sot”, u shpreh ajo, duke falënderuar pjesëmarrësit për mbështetjen.

Më tej, ajo tha se prej muajsh po përballet me shqetësime për banesën e saj dhe akuzoi se, sipas saj, janë marrë vendime për ta nxjerrë nga shtëpia. E moshuara tha gjithashtu se nuk do të dorëzohet pavarësisht vështirësive, duke bërë thirrje për vazhdimin e protestës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.

“O sa të bukur jini! O zemrat e nënës. O yjet, shqiptarët janë raca më e bukur në botë. Më bëhet qejfi që rinia është këtu sot. Ju ndjek. Kur kam mundësi edhe vijë këtu. Jam nga Durrësi dhe do më marrë shtëpinë ky bastardi. Kam 10 muaj nëna që ulëras dhe nuk kam frikë. Ju dua shumë. Kam shumë për të thënë letër nuk mora. Më dalin nga zemra, më dalin nga shpirti.
Luftova 1 jetë, rrita 3 fëmijë të mrekullueshëm dhe sot në këtë moshë në vend që të qetësohem më shqetëson ky bastard. Ky bastard bashkë me Belinda Ballukun kanë firmosur për të na nxjerrë jashtë. I kam thënë shtëpinë e kam bërë më gjak dhe nuk ja jap. I bëj thirrje rinisë përditë këtu. 120 mijë lekë pension kam. Kam ditët e fundit të jetës, por nuk dorëzohem. Rama në burg Berisha në burg. Sa më shpejt më mirë të zhduken se na nxijnë jetë. Ky vend i bukur i bekuar me këto njerëz të mallkuar. Rroftë Shqipëria e re, rroftë rinia”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb