Prej 15 ditësh qytetarët kanë mbushur rrugët e kryeqytetit dhe jo vetëm, pasi protesta janë organizuar edhe në qytetet kryesore në vend dhe në botë, kudo ku jeton diaspora. Thirrjet e qytetarëve janë për revolucion, largimin e qeverisë aktuale dhe dorëheqje pa kompromis të kryeministrit Edi Rama. Ajo që nisi si reagim për Zvërnecin, ka marrë tashmë trajtën e një revolucioni paqësor, ku në fjalimet e qytetarëve jepen mesazhe për të ardhmen e vendin dhe ndëshkimin e klasës politike. Kësaj situate i përshtatet më së miri dhe interpretimi i bërë nga aktori i njohur Reshat Arbana, për vargjet e Ali Asllanit.

“Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju dihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!”, intepreton i madhi Arbana.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb