Mbahej sot në Gjykatën e Posaccme seanca ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se Veliaj nuk ka qenë I pranishëm në seancë.

Me anë të një deklarate ai ka bërë me dije se është vënë në dijeni në lidhje me seancën por se nuk dëshiron të marrë pjesë.

“Kam dijeni për seancën. Nuk dëshiroj të marr pjesë, pasi nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale”, thuhej në deklaratë.

Po sipas Veliajt, gjykata nuk ka zbatuar dispozitën ligjore, që i jep të drejtë të marr pjesë si njeri i lirë në sallën e gjyqit.

Gjatë seancës, avokati i Veliajt argumentoi se klientit të tij nuk i ishin vënë ende në dispozicion të gjitha aktet e vendosura nga gjykata dhe se dokumentacioni ishte dorëzuar vetëm rreth orës 15:30 nga sekretaria gjyqësore.

“Për të qenë të sinqertë, në orën 3:30 u njoftuam nga sekretaria gjyqësore se aktet janë dorëzuar. Zoti Veliaj duhet të ketë kohën e nevojshme për t’u njohur me to dhe për të ushtruar një mbrojtje efektive”, u shpreh avokati.

Nga ana tjetër, prokurori kundërshtoi kërkesën për shtyrje, duke theksuar se aktet proceduriale në fjalë u përkasin të pandehurve të tjerë dhe episodeve të veçanta të çështjes.

“Bëhet fjalë për episode të veçanta që lidhen me persona të tjerë. Nuk shoh arsye për të shtyrë seancën”, deklaroi Dado.

Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, gjykata vendosi të vijojë me zhvillimin e seancës, duke arsyetuar se vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për shkak të natyrës së tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen apo shtyrjen e procesit gjyqësor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb