Deputetja e Partisë Demokratike dhe nënkryetarja e Komisionit të Posaçëm te Stabilizim Asocimit, Jorida Tabaku, ndodhet sot në Strasburg, ku Parlamenti Europian po diskuton progres-raportin për Shqipërinë.

Së bashku me kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, Tabaku po zhvillon takime me eurodeputetë dhe përfaqësues të grupeve politike në Parlamentin Europian.

Në një videomesazh nga Strasburgu, Tabaku theksoi se çështjet për të cilat qytetarët po protestojnë prej ditësh në Tiranë janë transmetuar tek eurodeputetët edhe pse shume prej tyre nuk janë tema të reja për institucionet europiane, por shqetësime të përsëritura ndër vite në raportet e Parlamentit Europian dhe të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Ajo argumentoi se ligje si ai i Investimeve Strategjike, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mungesa e mundësive për të rinjtë janë pjesë e problematikave që Bashkimi Europian ka evidentuar vazhdimisht për vendin.

Sipas Tabakut, Shqipëria duhet të ndjekë modelin europian të shtetit ligjor, transparencës dhe institucioneve të forta, dhe jo rrugën e një autokracie elektorale apo të një shteti të kapur që miraton ligje me porosi dhe në funksion të interesave të një pakice.

Ajo nënvizoi se protesta e qytetarëve përfaqëson kundërshtimin ndaj këtij modeli qeverisjeje dhe ndaj një sistemi që, sipas saj, ka funksionuar në dëm të shumicës së shqiptarëve.

“Çështjet për të cilat protestuesit kanë mbushur rrugët e Tiranës janë po ato çështje që prej vitesh gjenden në raportet e Parlamentit Europian. Ligji i Investimeve Strategjike, Ligji i Zonave të Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mungesa e mundësive për të rinjtë janë njëkohësisht çështje të Shqipërisë dhe të Europës. Zëri i qytetarëve që protestojnë po sillet sot në Parlamentin Europian dhe do të jetë pjesë e debatit parlamentar për Shqipërinë”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate theksoi se qëllimi i takimeve në Strasburg është që shqetësimet e qytetarëve shqiptarë dhe problematikat që lidhen me shtetin e së drejtës, demokracinë dhe transparencën të jenë pjesë e diskutimeve europiane për të ardhmen e Shqipërisë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Fjala e Tabakut

Jemi sot në Parlamentin Europian, ku po diskutohet raporti për Shqipërinë dhe ku po zhvillojmë një sërë takimesh me përfaqësues jo vetëm të Grupit të Partive Popullore Europiane (EPP), por edhe me përfaqësues të grupeve të tjera politike.

Një nga çështjet kryesore që po diskutojmë është fakti se Shqipëria po përballet sot me një autokraci elektorale dhe me një shtet që vazhdon të miratojë ligje me porosi, në funksion të interesave të ngushta dhe jo të qytetarëve.

Çështjet për të cilat protestuesit kanë mbushur rrugët e Tiranës prej ditësh janë tema që prej vitesh gjenden në raportet e Parlamentit Europian dhe të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Ligji i Investimeve Strategjike, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar, si dhe mungesa e mundësive për të rinjtë shqiptarë për të ndërtuar jetën e tyre në vend, janë të gjitha çështje që nuk i përkasin vetëm Shqipërisë, por janë edhe shqetësime europiane.

Të gjitha këto tema janë të reflektuara në raportin e Parlamentit Europian dhe kanë qenë pjesë e diskutimeve tona të vazhdueshme, me qëllim që zëri i Shqipërisë të dëgjohet këtu në Strasburg.

Sot po sjellim në Parlamentin Europian edhe zërin e qytetarëve që protestojnë në rrugët e Tiranës kundër një sistemi të padrejtë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Këto shqetësime duhet të jenë pjesë e debatit parlamentar europian për Shqipërinë, sepse ato lidhen drejtpërdrejt me demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të ardhmen europiane të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: