Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë magazinën e fabrikës së prodhimit të pecetave të lagura dhe detergjenteve “Optimal” që operon në ambientet e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, duke shkaktuar ndotje në nivele alarmante në të gjithë zonën. Flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë godinën dhe shtëllunga tymi kanë mbuluar Elbasanin.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar disa automjete dhe efektivë të Shërbimit Zjarrfikës, të cilët janë angazhuar për izolimin dhe shuarjen e flakëve, për të parandaluar përhapjen e tyre në objektet përreth. Deri në këto çaste nuk ka informacione zyrtare për persona të lënduar apo për shkaqet që kanë çuar në rënien e zjarrit.

Zjarrfikësit po punojnë në kushte të vështira për të vënë situatën në kontroll, kurse qytetarët që ndodhen pranë zonës janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe ekspozimin ndaj tymit të dendur, deri në normalizimin e situatës

Fabrika “Optimal” administrohet nga investitori turk Selim Guleç, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur edhe efektivë të Policisë së Elbasanit, të cilët kanë rrethuar zonën dhe po koordinojnë veprimet për menaxhimin e situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb