Salvadore alias Shpëtim Aliu është personi kyç i aksionit të fundi të SPAK ndaj grupeve kriminale të trafikimit të kokainës ndërkombëtarisht.
Raportohet se Aliu ishte personi që ka luajtur një rol universal në gjithë skemën e trafikimit të lëndës narkotike, duke shërbyer si hallka furnitore.
Ai ishte figura qendrore që furnizonte me kokainë grupet e Shpëtim Gjikës, Eldi Dizdarit dhe Armando Pacanit.
Në njoftimin zyrtar SPAK, thekson se në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë. Gjatë hetimeve janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.
Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:
Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Waasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.
Episodi 2 – 6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).
Episodi 3 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020– Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 5 – 03 shkurt 2021– Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .
Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.
