Asnjë shenjë e 37 vjeçarit të mbytur në liqenin e Ulzës. Edhe këtë të mërkurë grupet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar punën për gjetjen e trupit të 37-vjeçarit Armando Zajsi i cili u mbyt në ujërat e liqenit të Ulzës pasditen e së hënës.

Palumbarët e forcave RENEA, të Forcave Speciale Detare, Forcave të Armatosura kanë bërë krehjen e zonës ku 37 vjeçari u mbyt pasi u rrëzua nga mjeti lundrues tip Jetsci.

Kërkimet nuk kanë dhënë rezultat ndërsa pritet të kërkohet edhe me dron nën ujor i ardhur nga Forcat Detare të Vlorës.

Familjarët e 37 vjeçarit Zajsi janë duke ndjekur operacionin dhe shpresojnë të përfundojë sa më parë. Armando Zajsi kishte shkuar me një grup miqsh në Ulëz dhe ka hyrë në ujë për të lundruar me mjetin jetsci, ku është rrëzuar prej tij dhe ka rënë në ujë.

Teksa ka notuar për disa metra që të ngjitej përsëri mbi motorrin e ujit, ai është zhytur për të mos u gjetur më. Tentativa e miqëve nga bregu i liqenit ka qenë e paarritshme për shkak se kur kanë shkuar pranë mjetit në ujë, nuk e kanë parë më 37 vjeçarin që kishte humbur në thellësi të liqenit.

Sipas ekspertëve, gjetja e trupit të 37-vjeçarit është një operacion i vështirë për shkak se thellësia arrin deri në 40 metra dhe është shumë afër digës së hidrocentralit të Ulzës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb