Parlamenti Europian i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të pezullojë dhënien e lejeve, zhvillimin e punimeve ndërtimore dhe çdo ndërhyrje tjetër zhvillimore në zonat e mbrojtura. Kjo kërkesë përfshihet në amendamentin 17, të shtuar në pikën 46 të rezolutës, i cili u miratua të mërkurën gjatë votimit të raportit vjetor për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Vendimi i PE vjen teksa presioni ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama sa vjen e rritet tanimë edhe nga ndërkombëtarët, kundër projektit në Zvërnec. Në dokumentin e Brukselit thuhet se PE po ndjek protestat qytetare në Shqipëri.

Sipas tekstit të miratuar, zhvillimet në Vjosë-Nartë “tregojnë pasojat praktike të ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që rrjedhin prej tyre për zona me vlera të njohura ekologjike”. Eurodeputetët thonë se po ndjekin protestat paqësore të zhvilluara për këtë çështje dhe përmes amendamentit të miratuar vënë në dukje se projektet në zonat e mbrojtura “duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së”, si dhe të përfshijnë “një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Çfarë thotë Amendamenti 17?

“Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të ndryshojnë dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb