Në Tiranë u zhvillua ceremonia përmbyllëse e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, e organizuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.
Ceremonia shënoi përmbylljen e një prej proceseve më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe të konsolidimit të shtetit të së drejtës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve kushtetuese, sistemit të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë mbështetur reformën.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, vlerësoi se procesi i vettingut ka kontribuar në forcimin e kulturës së përgjegjshmërisë dhe integritetit institucional, duke vendosur standarde të reja në ushtrimin e funksioneve publike dhe duke rritur besimin e qytetarëve te drejtësia.

Duke iu referuar fazës së re që pason përfundimin e procesit të rivlerësimit, ajo theksoi:
“Gjykata Kushtetuese mbetet e angazhuar për të ushtruar me përgjegjësi çdo kompetencë që Kushtetuta dhe ligji i kanë ngarkuar. Ajo është e vetëdijshme për rolin dhe përgjegjësitë e saj për të siguruar vazhdimësinë e standardeve të vetting-ut, por sidomos për të garantuar një proces të drejtë, të besueshëm dhe të pakontestueshëm nga palët. Për këtë qëllim, janë të mirëpritura edhe ndërhyrjet e kujdesshme dhe të balancuara ligjore”.
Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese garanton ushtrimin e kompetencave të saj në mënyrë të pavarur, të paanshme, në përputhje me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës.
