Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar paraqitjen e akuzave dhe analizës financiare në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke ngritur dyshime mbi burimin e të ardhurave të përdorura për blerje pasurish të paluajtshme.

Sipas prokurorit Sotir Kllapi, në vitet 2008–2009 çifti Meta-Kryemadhi ka jetuar në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Meta do të blinte një apartament në rrugën “Vaso Pasha” me vlerë 400 mijë euro, ndërsa një kat më poshtë do të blinte Fatime Kryemadhi një apartament me vlerë 300 mijë euro.

Më herët Monika Kryemadhi ka marrë disa overdrafte nga një bankë e nivelit të dytë, të cilat janë shlyer në një kohë të shkurtër nga Fatime Kryemadhi, e cila ishte atëkohë pensioniste. Ka dyshime se shumat e parave të marra nga Monika Kryemadhi nuk janë përdorur, por janë depozituar nga Fatime Kryemadhi.

Në vitin 2009 bashkëshortët kanë vendosur të blejnë një banesë me vlerë 400 mijë dollarë, ndërsa Fatime Kryemadhi, një banesë me vlerë 310 mijë euro.

Për shlyerjen e kësaj kontrate Meta dhe Kryemadhi kanë marrë një kredi prej 200 mijë dollarësh. Për shumën tjetër, kanë pretenduar se do të përdornin një shumë 200 mijë dollarësh cash, që ju kishte mbetur nga transaksioni i pakryer për një vilë në Qerret.

Fatime Kryemadhi jo vetëm që ka depozituar shuma cash, por të dy kreditë janë shlyer në bankë për 7 muaj.

Ne total, Fatime Kryemadhi rezulton me një disbalancë prej 810 mijë eurosh.

Sipas SPAK, mekanizmi i lidhjes së dy kontratave të ndryshme, është bërë për të futur në rrugë bankare shuma monetare pa burim të ligjshëm.

“Meta e Kryemadhi nuk kishin mundësi për to, por as Fatime Kryemadhi. Kjo e fundit kishte mundësi vetëm për 100 mijë euro. Në banesën e saj janë gjetur tre fatura për tërheqjen e 235 mijë USD, por të firmosura nga personi që i shiti apartamentin bashkëshortëve Meta Kryemadhi. Rezulton që për të tre ekziston një disbalancë prej 846 mijë usd. Janë vetëm 200 mijë dollarë të ligjshme, të ardhura nga kredia”, shprehet prokurori i SPAK, Sotir Kllapi.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb