Një autobus që transportonte nxënës shkolle gjatë një ekskursioni u përfshi në një aksident rrugor mesditën e sotme në afërsi të qendrës së qytetit të Elbasanit.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 13:20, kur autobusi, gjatë një manovrimi të gabuar në lëvizje, u përplas me një automjet tjetër që po qarkullonte në të njëjtën zonë.
Përplasja shkaktoi momente paniku tek nxënësit dhe drejtuesit e mjeteve, ndërsa kalimtarë të rastit u afruan menjëherë për të ndihmuar. Fatmirësisht, pavarësisht frikës dhe tensionit të krijuar, nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat kryen veprimet procedurale dhe nisën hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.
Nga përplasja janë shënuar vetëm dëme materiale në mjetet e përfshira, ndërsa nxënësit janë larguar të sigurt dhe pa probleme shëndetësore.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
