Protesta masive përballë Kryeministrisë, e cila kërkon largimin e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij, ka hyrë sot në ditën e saj të 19-të me një pjesëmarrje të lartë qytetarët. Mes shumë zërave që morën fjalën, ajo që ka rrëqethur të pranishmit ka qenë dëshmia e një të reje shqiptare, e cila kishte udhëtuar posaçërisht nga Londra për t’iu bashkuar tubimit.

Në fjalën e saj të ndjerë dhe të mbushur me revoltë, ajo tregoi plagën e madhe të emigrimit të të rinjve dhe degradimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke akuzuar drejtpërdrejt kreun e qeverisë.

“Unë jam këtu për ata fëmijë që janë detyruar të shkojnë në emigrim për një jetë më të mirë, apo për t’u blerë ilaçe gjyshërve sepse nuk u dalin paratë e pensionit as për letrat e banjos,” u shpreh ajo mes duartrokitjeve të turmës.

Më tej, e reja ndau një dramë të fortë personale që lidhet me humbjen e njeriut të saj të shtrenjtë për shkak të dështimit të spitaleve publike, duke shpërthyer në akuza të ashpra ndaj kryeministrit.

“Gjyshes sime i iku jeta dëm duke shkuar nga spitali në spital sepse nuk i jepnin diagnozë dhe ashtu vdiq! Prej atij plehrës që ka mjekësinë jashtë që e mbulon!” deklaroi e reja nga Londra, duke shkaktuar thirrje në kor kundër qeverisë nga qytetarët e mbledhur në bulevard.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb